
Tiranë | Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti sot në një takim në Presidensë Nënsekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin e Ekonomisë, Energjisë dhe Mjedisit, Keith Krach.
Pasi vlerësoi kontributin thelbësor të Shteteve të Bashkuara për të gjitha zhvillimet demokratike dhe ekonomike në vendin tonë, si dhe konsolidimin e paqes e sigurisë në rajon, presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka vizita e tij për të konsoliduar e forcuar marrëdhëniet tona ekonomike, të cilat duhet të ngrihen në nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike.
“Ne mirëpresim investimet e kompanive Amerikane në Shqipëri”, – nënvizoi Presidenti Meta.
Kreu i Shtetit gjithashtu vlerësoi vijimin e angazhimit tradicional të ShBA-ve në drejtim të forcimit dhe konsolidimit të shtetit ligjor, si një garanci për investime afatgjata strategjike të ShBA-ve në vendin tonë dhe në rajon.