Rama uron për ditëlindje ‘sozinë’ e tij të ‘Portokalli’: Florjan Binajt meriton t’i heqësh kapelen

Tiranë | Ditën e sotme kryeministri Edi Rama ka uruar për ditëlindje aktorin e njohur të spektalit të humorit, ‘Portokalli’, Florjan Binaj, i cili krahas rolit të shefit të policisë (shef Kola) imiton edhe figurën e kryeministrit Edi Rama.

Kreu i qeverisë e mirëpret imitimin e tij nga ana e aktorit Binaj dhe thotë se nuk i kupton dot disa politikanë që mërziten kur vihen në lojë nga komedianët apo karikaturistët.

Sipas tij, arti i tyre ka pasur e ka një fuqi të butë emancipuese e lehtësuese tek ata që i ndjekin dhe Flori është mes atyre që e meritojnë t’u heqësh kapelen, për faktin domethënës se nuk bie në vulgaritetet tipike ç’edukative të disave brenda atij lloji.

Postimi i plotë i kryeministrit Rama:

#EDHE100💐

FLORJAN BINAJ është një djalë king, me botë të bukur, i talentuar dhe i edukuar, që mes plot talenteve të ekranit të vogël ka spikatur me sozinë time në shfaqjen më popullore e më kreative televizive sipas meje, Portokallia e rekordeve të frikshme të audiencës televizive!

Nuk i kam kuptuar kurrë politikanët e udhëheqësit kur mërziten, e nganjëherë tërbohen nga vënia e tyre në lojë prej komedianëve e karikaturistëve, të cilët kur janë të zotë si Flori e si djemtë e vajzat e Portokallisë, si Sajmiri i Fiksit e i Stopit apo babai i të gjithë brezit të tyre, Agron Llakaj ose Bujar Kapexhiu i vizatimeve satirike, janë një lezet i madh për jetën publike dhe një burim energjish pozitive për konsumatorët e artit të tyre. Arti i tyre ka pasur e ka një fuqi të butë emancipuese e lehtësuese tek ata që i ndjekin dhe Flori është mes atyre që e meritojnë t’u heqësh kapelen, për faktin domethënës se nuk bie në vulgaritetet tipike çedukative të disave brenda atij lloji.

Duke i uruar sozisë time gazmore ditëlindjen dhe shëndetin, forcën krijuese e çdo mirësi e mbarësi për veten e për të dashurit e vet, uroj njëkohësisht që energjitë pozitive të Florit e të kolegëve të tij të talentuar të çdo ekrani, ta ushqejnë sa më mirë publikun në këtë kohë posaçërisht sfiduese për të gjithë.

#TëRRALLË

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu