Muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit; NjVKSh Bulqizë takim informues me gra dhe vajza

Bulqizë | Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit në luftën kundër kancerit të gjirit, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor (NjVKSh) në Bulqizë ka organizuar një takim informues me gratë dhe vajzat e kësaj bashkie.

Gjatë këtij këtij takimi sensibilizues u përcollën mesazhe për të rritur vëmendjen për zbulimin e hershëm dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Takimi u zhvillua në ambientet e Bashkisë, duke respektuar rregullat kundër përhapjes së virusit COVID-19.

Fotografia e Bashkia Bulqize Faqja Zyrtare

Fotografia e Bashkia Bulqize Faqja Zyrtare

Fotografia e Bashkia Bulqize Faqja Zyrtare

Fotografia e Bashkia Bulqize Faqja Zyrtare

Lexoni më shumë informacion për kancerin e gjirit:

(Referuar Institutit të Shëndetit Publik)

Muaji Tetor në të gjithë botën është shpallur si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, i cili është kanceri më i zakonshëm i grave në mbarë botën, si në vendet e zhvilluara ashtu dhe vendet në zhvillim. Kjo rritje në vitet e fundit vjen për shkak të rritjes së jetëgjatësisë, rritjes së urbanizimit dhe mënyrave jo të shëndetshme të jetesës.

Aktualisht nuk ka njohuri të mjaftueshme për shkaqet e kancerit të gjirit, por dihet se zbulimi i hershëm i sëmundjes mbetet guri i themelit të kontrollit të tij.

Kanceri i gjirit shpesh shkakton shqetësim, stres dhe ankth.

Është fakt konkret dhe i dukshëm se, informimi dhe sensibilizimi ka çuar  në  zbulimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit. Sa më herët të zbulohet kanceri i gjirit, aq më tepër rriten edhe mundësitë për shërimin  e tij.

Çfarë është kanceri i gjirit?

Kanceri i gjirit zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit.Qelizat në një pjesë të gjirit bëhen anormale dhe fillojnë të rriten, grumbullohen e formojnë një tumor, i cili shtyp dhe përhapet jashtë kontrollit dhe shkatërron indin normal të gjirit. Nëse nuk trajtohen, këto qeliza anormale mund të përhapen dhe të dëmtojnë apo shkatërrojnë indet normale që ndodhen përreth. Gjithashtu, ato mund të përhapen edhe në pjesët më të largëta të trupit, nëpërmjet sistemit të qarkullimit të gjakut ose nëpërmjet sistemit limfatik.

Kush mund të preket nga kanceri i gjirit?

  • Nga kanceri i gjirit mund të preket çdo femër, por rreziku rritet me rritjen e moshës.
  • Zakonisht preken moshat mbi 50 vjeç, por mund të shfaqet edhe në mosha

fare të reja. Kështu, nëse në moshat 20 vjeçare kanceri i gjirit takohet 1 rast në 2000 femra, në moshat 50 vjeçare takohet 1 rast në 40 femra, në moshat 70 vjeçare takohet 1 rast në 25 femra, ndërsa në gjithë jetën e një femre takohet 1 rast në 10 femra.

  • Kanceri i gjirit është një problem i grave pavarësisht se haset në raste të rralla

edhe tek burrat, rreth 99% e kancereve të  gjirit zhvillohen te gratë, te burrat  takohet 100 herë më rrallë.

Çfarë e shkakton kancerin e gjirit?

Askush nuk e di me siguri se çfarë e shkakton kancerin e gjirit apo pse disa gra bëjnë  kancer gjiri dhe të tjera jo, pse disa janë më të rrezikuara për të zhvilluar kancer gjiri dhe të tjera jo. Por dimë se ka disa faktorë që duket se rrisin rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri. Disa faktorë ne nuk mund t’i ndryshojmë dhe disa të tjerë jo.

Faktorët që nuk mund t’i ndryshojmë janë:

  • Gjinia – Të qenit grua.
  • Mosha – Rreziku për të pasur kancer gjiri rritet me rritjen e moshës.
  • Faktorët gjenetike – Rreth 5% deri 10% e kancereve të gjirit mendohet të jenë pasojë e një defekti gjenetik, të gjeneve BRCA1 dhe BRCA2.
  • Historia familjare për kancer gjiri – Gratë të cilat kanë pasur të afërm si gjyshja, nëna apo motra me kancer gjiri kanë një rrezik më të lartë se popullata e përgjithshme. Megjithatë, vetëm më pak se 15% e grave me kancer gjiri kanë patur të afërm me kancer gjiri.
  • Historia personale lidhur me kancerin e gjirit – Gratë me kancer në njërin gji kanë një rrezik 3-4 herë më të lartë për të zhvilluar një kancer të ri, në gjirin tjetër apo në një pjesë tjetër të të njëjtit gji.
  • Gratë me ind  gjiri me densitet të lartë – Gratë me ind gjiri me densitet më të lartë (siç mund të shihet në mamogram), kanë rrezik më të lartë për kancer.
  • Disa probleme beninje të gjirit – Gratë e diagnostikuara me probleme beninje të gjirit mund të kenë një rrezik më të rritur për kancer gjiri, sidomos kur këto probleme shoqërohen me rritje të tepruar të qelizave të indit të gjirit, në kanalet apo gjendrat e tij.
  • Fillimi i menstruacioneve – Gratë të cilat kanë pasur fillimin e ciklit menstrual para moshës 12 vjeç.
  • Mbarimi i menstruacioneve – Gratë që kanë pasur mbarimin e menstruacioneve pas moshës 55 vjeç kanë një rrezik lehtësisht më të lartë.
  • Ekspozimi ndaj rrezatimit të gjoksit – Gratë që në fëmijërinë apo adoleshencën e tyre, kur gjinjtë janë ende duke u zhvilluar, i janë nënshtruar mjekimit me rrezatim, për arsye të një sëmundjeje tjetër kanceroze, kanë rrezik më të lartë.

Faktorë  rreziku të ndryshueshëm janë:

  • Lindja e fëmijëve – Gratë që nuk kanë pasur fëmijë ose që e kanë pasur fëmijën e parë pas moshës 30 vjeç kanë një risk lehtësisht më të lartë për kancer gjiri. Shumë shtatzëni dhe shtatzënitë në moshë të hershme duket se e ulin riskun.
  • Përdorimi i kontraceptivëve oralë, në kohët e fundit – Kontraceptivët oralë e rrisin pak rrezikun, por pas ndërprerjes së përdorimit rreziku normalizohet pas 10 vitesh.
  • Mjekimi me hormone pas menopauzës – Rritja e rrezikut për kancer gjiri është vetëm në përdorimin e kombinuar të hormoneve (estrogen me progesteron), por rreziku normalizohet brenda 5 vitesh nga ndërprerja e tij.
  • Ushqyerja me gji – Ushqyerja me gji mund ta ulë lehtësisht rrezikun nga kanceri i gjirit, sidomos nëse vazhdon gjatë, për 1 vit e gjysmë ose dy vjet.
  • Konsumi i tepruar i alkoolit – Rreziku i rritur për kancer gjiri dhe rritja e tij lidhet me sasinë e alkoolit të konsumuar. Gratë që konsumojnë 2 – 5 pije të përditshme kanë 50 % rrezik më të lartë se gratë  që nuk konsumojnë alkool.
  • Mbipesha dhe obeziteti – Rritja e rrezikut për kancer gjiri nga mbipesha dhe obeziteti është sidomos kur këto ndodhin pas menopauzës.
  • Ushqimet me yndyrna të larta – Ngrënia e ushqimeve me përmbajtje të lartë yndyrnash përbën rrezik për kancer të gjirit, dhe ka lidhje me mbipeshën ose obezitetin.
  • Aktiviteti fizik – Aktiviteti fizik e ul rrezikun për kancer gjiri.
  • Duhanpirja aktive e pasive – rrit rrezikun për kancer gjiri.

Sa më shumë faktorë rreziku të ketë një grua, aq më e madhe është mundësia për t’u prekur nga kanceri i gjirit.

Shenjat e kancerit të gjirit

Kanceri i gjirit mund të shfaqet me një sërë shenjash të ndryshme, të mundshme:

  • Në shumicën e rasteve shenja më e zakonshme e kancerit në gji është një nyjëz apo një kokërr e fortë gjatë prekjes, në gji apo nën sqetull.
  • Enjtje e një pjesë apo e gjithë gjirit.
  • Irritim apo dëmtim i lëkurës së gjirit, apo trashje që ngjan me lëkurën e portokallit.
  • Gropëzim (kthim nga brenda) e thithit.
  • Skuqje, apo zënie kore e thithit apo lëkurës së gjirit.
  • Rrjedhje nga gjiri, sidomos rrjedhje gjaku.
  • Dhimbje në gji apo në thithin e gjirit.
  • Si dhe çdo gjë tjetër që nuk duket normale.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu