Kryeministrja e Finlandës lë samitin e BE dhe futet në karantinë

Bruksel | Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, është bërë udhëheqësja e dytë që ka lënë një samit të Bashkimit Evropian, që po zhvillohet në Bruksel, pasi një deputet me të cilin ka pasur kontakt së voni, ka dalë pozitiv në testin për koronavirus.

Marin tha se do të kthehet menjëherë në Finlandë, do të testohet dhe do të futet vullnetarisht në karantinë.

Më herët, ajo ka qenë në kontakt me deputetin finlandez, Tom Packalenin, i cili ka dalë pozitiv me koronavirus.

Kryeministri suedez, Stefan Lofven, do ta përfaqësojë Marinin në pjesën e mbetur të samitit.

Të enjten, edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është larguar nga samiti, pasi një pjesëtar i stafit të saj ka dalë pozitiv me koronavirus.

Von der Leyen ka thënë se është futur vullnetarisht në karantinë “si masë paraprake”.

Shumica e vendeve të Evropës janë duke u përballur me rritje të numrit të rasteve me koronavirus.

Aktualisht, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Republika Çeke ka shkallën më të rëndë të infektimit në Evropë, me 660 të infektuar në 100,000 banorë, gjatë 14 ditëve të fundit.

Çekia regjistroi të enjten 9,721 raste të të infektuarve me koronavirus – shifër kjo rekorde brenda një dite.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu