Përshkeqësohet situata në Çeki; gati 10 mijë raste të reja me COVID-19, kapacitetet spitalore në gjendje kritike

Pragë | Republika Çeke ka regjistruar mëngjesin e sotëm shifrën më të lartë të të infektuarve ditorë me COVID-19 që nga nisja e pandemisë. Kështu, brenda 24 orëve të fundit janë konfirmuar 9,721 raste të reja, ndërsa kanë ndërruar jetë 24 pacientë të infektuar.

Vendi me 10,7 milionë banorë ka konfirmuar gjithsej 149,010 raste pozitive, që nga fillimi i pandemisë në muajin mars.

Gati 50,000 prej tyre janë regjistruar vetëm javën e kaluar, pasi një valë e dytë e transmetimit të virusit shpërtheu në komunitet.

Numri i viktimave ka arritur në 1,230.

Spitalet në të gjithë Çekinë i kanë shtyrë operacionet jo të domosdoshme, për t’u përqendruar në rritjen e numrit të pacientëve me koronavirus.

Aktualisht vendi ndodhet në karantinë. Janë mbyllur shkollat, kafenetë, restorantet, ambientet sportive, etj.

Qeveria çeke ka thënë se kapaciteti i plotë spitalor mund të mbushet rreth fundit të tetorit.

Në fundjavë, ushtria çeke do të fillojë të ndërtojë një spital në një qendër ekspozitash në Pragë, për 500 pacientë.

Një plan i ngjashëm është gati edhe për qytetin e dytë më të madh çek, Bërno.

Qeveria po ashtu është duke negociouar me Gjermaninë fqinje dhe disa vende të tjera për trajtimin e çekëve atje, nëse sistemi i tyre shëndetësor mbingarkohet.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Republika Çeke ka aktualisht shkallën më të rëndë të infektimit në Evropë, me 660 të infektuar në 100,000 banorë, gjatë 14 ditëve të fundit.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu