Drejtori i impiantit të përpunimit të mbetjeve në Elbasan: Në punë që prej vitit 2016, energjia e prodhuar injektohet në rrjet

TIRANË- Drejtuesi i impiantit të përpunimit të mbetjeve të Elbasanit, Enea Murataj deklaron se impianti punon që prej vitit 2016 dhe prodhon energji që injektohet në rrjet, ndryshe nga sa pretendon Partia Demokratike.

Përmes një deklarate për mediat, krah kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, Murataj tha se fakti që nuk ka një faturë, nuk do të thotë se impianti nuk është funksional, por kjo ndodh pasi Enti Rregullator i Energjisë (ERE) nuk i ka caktuar çmimin. Për këtë, shtoi ai, palët janë në gjyq.

“Impianti ka punuar normalisht, të gjitha mbetjet përpunohen sipas shkallëve të menaxhimit të mbetjeve, që nga selektimi, i materialeve të riciklueshme, mbetje organike që është shumë e vogël dhe një pjesë tjetër shkon për inceneratorë. Në fillim erdhën akuza që do vinin mbetje nga Europa, por këtu po digjen vetëm të Elbasanit. Pastaj erdhi një akuzë tjetër, që këtu digjej naftë, akuza të shumtë nga kanë ardhur ditë pas dite, pronarë të vërtetë janë shqiptarë dhe të regjistruar në QKB. E gjithë sasia e energjisë injektohet në rrjet dhe kjo faktohet nëpërmjet matësit që regjistron energjinë elektrike të injektuar në rrjet.

Dëgjojmë që nuk injektohet apo nuk prodhohet, nuk ka një faturë se nuk është caktuar çmimi, por që injektohet mund të faktohet shumë lehtë”, shprehet Murataj.

Ndërkohë kreu i Bashkisë së Elbasanit, Llatja bëri të ditur se që prej vitit 2016 Bashkia e Elbasanit sjell rregullisht mbetjet e saj pranë këtij impianti.

“Prej vitit 2016 Bashkia e Elbasanit sjell rregullisht mbetjet e saj ditore pranë këtij impianti. Edhe sot që ne flasim makina tona sjellin në mënyrë të vazhdueshme mbetje, që me parë hidheshin në lumin Shkumbin apo digjeshin dhe ndotej i gjithë ambient”, tha Llatja.

Sot, vuri në dukje ai, kemi një ambient shumë herë më të pastër.

“Është një investim i qeverisë shqiptare ndër më të mirët që është bërë jo vetëm për bashkinë e Elbasanit, i shumë kërkuar nga qytetarët, nga Këshilli Bashkiak, që në 2015 kishte shpallur gjendjen e emergjencës”, u shpreh Llatja.

Sipas tij, ka një kontratë që mbaron në 16 dhjetor 2021, dhe sipas asaj kontrate procedurat për të filluar procesin e marrjes në dorëzim fillojnë 6 muaj para, pra në qershorin e vitit tjetër Bashkia e Elbasanit nis procesin e marrjes në dorëzim.

“Është e padrejtë të paragjykosh një proces për të cilin jemi 7 muaj para afatit të fillimit të marrjes në dorëzim. Nuk ka logjikë që të dorëzojmë impiantit kur ne jemi në kontratë”, theksoi kreu i bashkisë së Elbasanit.

Sa i takon kostos që paguan Bashkia e Elbasanit për përpunimin e mbetjeve, Llatja deklaroi e që prej 2016-s bashkia nuk paguan asnjë qindarkë.

“Që prej 2016 jo vetëm bashkia e Elbasanit por të gjitha bashkitë e qarkut që sjellin mbetjet këtu paguajnë zero lekë për përpunimin e mbetjeve”, deklaroi ai.

“Qytetit i Elbasanit sot që flasim me prodhimin e energjisë pas marrjes në dorëzim të impiantit do të mbulojë gjysmën kostos që shkon për ndriçim rrugor shkolla kopshte çerdhe e gjithçka”, theksoi kreu i bashkisë.

Llatja tha se janë të shpeshta vizitat e stafit të bashkisë dhe inspektoriatit të mjedisit për të parë funksionimin e këtij impianti.

“Është një investim i qeverisë shqiptare i cili në fund të vitit që vjen i kalon bashkisë së Elbasanit dhe ne i japim garanci qytetarëve, se ky impiant dhe fusha e mbetjeve do të jetë sipas standardeve në momentin që do ta marrim në dorëzim:, deklaroi kreu i Bashkisë.

Ndërsa drejtuesi i impiantit Murataj, bëri të ditur se e vetmja kërkesë që ka shkuar pranë bashkisë nga ana e kompanisë ka qenë sjellja e stafit për ti trajnuar që të jetë i kualifikuar, pasi impianti është me teknologji innovative dhe kërkon kohë për tu menaxhuar.

Murataj tha se sot mesatarja ditore që impianti po djeg është 80 ton.

Sipas tij, në ditë vijnë mesatarisht 100 ton, por një pjesë riciklohet.

“Ky impiant është ndërtuar nga një teknologji inovative dhe tymrat që shkarkohen nga djegia e mbetjeve kalojnë përmes një sistemi monitorimi të specifikuar që është ndërtuar nga një prej lidereve për ndërtimin e sistemeve të filtrimit. Emetimi i ndotjes është i analizuar në kohë reale dhe shfaqet në monitor, nëse është në limit, sistemi është automatik dhe ul emetimin e ndotjes”, tha Murataj.

Kapaciteti i plotë i djegies së mbetjeve në impiant është 120 tonë. Sipas Muratajt, po të sillnin edhe bashkitë e tjera mbetjet e tyre impianti do të punonte me ngarkesë të plotë dhe sasia e energjisë që do të prodhohej do të ishte shumë më e lartë.

“Shpresojmë që të arrihet marrëveshja edhe me bashki të tjera të sillnin mbetjet. Nëse impianti do të punonte me kapacitet të plotë prej 120-140 ton ngarkesa e energjisë që do të prodhonte do të shkonte në 2.85 megawat”, tha Enea Murataj, drejtuesi i Impiantit të Përpunimit të Mbetjeve të Elbasanit./ash

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu