VIDEO/ Humbja e luftës me Azerbajxhanin; armenët nisin shpërnguljen dhe iu vënë flakën shtëpive

Mijëra armenë etnikë kanë nisur shpërnguljen nga zonat përreth Nagorno-Karabakut. Gjithçka ka nisur pas firmosjes së marrëveshjes së paqes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, ku u vendos që rajoni të kalojë sërish nën administrimin e Azerbajxhanit.

Ndërkombëtarisht rajoni është njohur si pjesë territoriale e Azerbajxhanit, por është drejtuar që nga viti 1994 nga armenët etnike.

Banorët e kombësisë armene, të cilët po largohen, kanë nisur djegien e shtëpive të tyre, në mënyrë që asnjëri prej pronarëve të rinj të mos strehohet në banesat e tyre, për të cilat ata thonë se kanë punuar një jetë për t’i ndërtuar.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Armenia duhet ta dorëzojë rajonin brenda datës 15 nëntor.

Të pyetur nga BBC, disa ushtarë armenë në vendin ku po digjeshin banesat janë shprehur se nëse lufta do të kishte vazhduar edhe për disa ditë të tjera, edhe ata do të ishin vrarë njësoj si kolegët e tyre të rënë, pasi siç thonë ata, Azerbajxhani ka ushtri më të fortë, armë më të sofistikuara dhe para.

Në muajin shtator u nis një luftë mes dy shteteve për këtë territor dhe u shënuan mijëra viktima, ushtarë e civilë. Pas ndërhyrjes ndërmjetësuese të Rusisë, Armenia pranoi që të dorëzohej dhe t’ia rikalonte territorin Azerbajxhanit. Ky vendim u shoqërua me shumë protesta nga ana e popullit armen, të cilët kërkuan dorëheqjen e kryeministrit.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu