Çfarë janë armët ‘mikrovalë’ që Kina dyshohet se i ka përdorur kundër ushtarëve indianë në kufi

Një profesor nga Pekini ka thënë se ushtria kineze ka përdorur armë të ashtuquajtura mikrovalë për t’i detyruar ushtarët indianë që të tërhiqen nga zona e kontestuar kufitare.

Profesori Jin Canrong u tha studentëve të tij në Pekin se armët elektromagnetike të ushtrisë kineze, të cilat e sulmojnë indin lëkuror të njeriut, i kthyen majat e maleve në furrë mikrovale, shkruan Daily Mail.

Canrong i vlerësoi shumë forcat kineze për këtë veprim, të cilat kanë arritur që t’i largojnë trupat indiane pa e shkelur rregullin për mospërdorim të armëve të zjarrit përgjatë kufirit të kontestuar në Himalaje.

Sipas gazetës “The Times”, besohet se këto armë sekrete janë dërguar në zonën kufitare në fund të gushtit, disa javë pas përleshjes së përgjakshme me gurë mes dy ushtrive, ku mbetën të vrarë së paku 20 ushtarë indianë.

Profesori Canrong tha para studentëve se 15 minuta pas aktivizimit të këtyre armëve, ushtarët që ishin në majat e maleve filluan të villnin. “Ata nuk mund të rrinin në këmbë, prandaj ikën. Në këtë mënyrë ne e rimorën territorin”, shpjegoi ai.

Sipas tij, forcat kineze vendosën që t’i përdorin këto armë për shkak se kundërshtarët ishin në lartësi shumë të madhe për t’u ballafaquar me ta fizikisht.

Në bazë të një marrëveshjeje të vjetër mes dy fuqive aziatike, përdorimi i armëve të zjarrit është i ndaluar në zonën kufitare mes tyre. Megjithatë, në shtator u dëgjuan të shtëna paralajmëruese, për të cilat palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën.

Armët “mikrovalë” lëshojnë rreze me frekuencë prej 95 gigaherc dhe mund të depërtojnë në shtresën e jashtme të lëkurës së njeriut, duke krijuar ndjesi të rëndë të djegies, por nuk shkaktojnë djegie të thellë.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu