Pipero: Lokalet të mbyllen një orë e më parë, nuk është momenti për t’u dëfryer

TIRANË – Duke folur sot nga një studio televizive, mjeku i njohur infeksionist, Pëllumb Pipero ka bërë sërish apel për mbylljen e lokaleve dhe restoranteve, duke i cilësuar ato si vatra të përhapjes së infeksionit të virusit COVID-19.

Mjeku tha se nuk është dakord për një karantinë të dytë, por për respektimin me rigorozitet të rregullave anti-COVID. Ai thotë se të rinjtë ende nuk janë sensibilizuar sa duhet me rrezikun dhe se sipas tij, dynden kafeneve dhe dëfrehen duke shkelur çdo masë parandaluese të përhapjes së virusit.

“Së paku të mbyllen më herët. Nëse baret dhe restorantet nuk respektojnë protokollet e distancave, ato bare që nuk i respektojnë të mbyllen një orë e më parë. Nuk është koha për të dëfryer por për të pasur kujdes. Kam parë dhjetëra lokale plot, brezi i ri, lozin, dëfrejnë me një kafe rrinë 4 orë. Të respektohet protokolli. Duhet të merret një masë. Nuk jam për karantine të dytë apo një mbyllje të dytë. Nuk është ajo zgjidhja. pjesë e zgjidhjes është kjo që nuk është pjesë e zgjedhjes. Duhet medoemos të frenojmë transmetimin e virusit. Mosha 16-17-vjeçare që vetë në lokale nuk jeton vetëm, ka familje, shkon në shkollë. Duhet doemos që atje ku më së shumti qarkullon të frenohet. Përpara se të mendojmë bllokimin, kapacitetet e shtuara spitalore të respektojmë ato masa që janë të rëndësishme. E shoh të arsyeshme të ngre zërin sepse o sot, o kurrë mund ta parandalojmë”, – tha Pipero.

Sa i përket lajmit për humbjen e jetës së një foshnje 16 muajshe, Pipero tha se virusi nuk kursen askënd por se fatmirësisht fëmijët nuk kanë probleme dhe se ky përbën rastin e parë dhe është një lajm i keq.

Pipero i këshilloi qytetarët të respektojnë masat, të marrin vitamina ose në farmaci ose nëpërmjet ushqimit dhe të bëjnë aktivitet dhe orët e duhura të gjumit. Ai tha se mjeku më i mirë është mjeku që qytetarët kanë më afër, pra mjeku i familjes.

“Të gjithë të mbajnë kontakt me mjeku ne familjes, të mbajnë kontakt me 127 nëse kanë nevojë dhe të shkojnë në spital nëse është e nevojshme”, – tha Pipero.

/Bulqiza.info/

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu