Hetimi i luftëtarëve të UÇK-së/ Balla nxjerr dëshmitë: Basha të sqarojë rolin dhe firmën e tij

TIRANË- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i bëri sërish thirrje sot kreut të PD-së, Lulzim Basha të sqarojë rolin, detyrat funksionale, pjesëmarrjen dhe firmën e tij mbi dokumentat e hetimit të luftëtarëve të UÇK-së.

“Si ka mundësi që dëshmitarë të masakrave dhe luftëtarë të betejave për liri në Kosovë, drejtojnë gishtin me referenca kohore dhe dëshmi ndaj Lulzim Bashës dhe ky vazhdon t’i fshihet përgjegjësisë morale e publike, duke gënjyer, duke mohuar dhe duke gënjyer?”, tha Balla.

Balla pyet po ashtu se përse mundohet ta fshehë Lulezim Basha rolin dhe veprimet e tij si Përgjegjës Operacional në Zyrën e Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish‐Jugosllavi në Tiranë gjatë vitit 1999.

“Pse nuk sqaron rolin, detyrat funksionale, pjesëmarrjen dhe firmën e tij mbi dokumentat e hetimit të luftëtarëve të UÇK, pse jo dhe përfitimet financiare si Këshilltar Ligjor në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) gjatë viteve 2000-2004?”, vijoi ai.

Balla tha se “nëse Lulzim Basha realisht nuk ka gjë për të fshehur, atëherë të nxjerrë letrat”.

“Kujtojmë se një ndër masakrat më të mëdha serbe ndaj popullit të Kosovës është ajo e Krushës. E vetmja kasetë filmike e plotë e kësaj masakre, sipas poseduesit të saj Milaim Bellanica i ishte dorëzuar Lulëzim Bashës, në atë kohë Përgjegjës Operacional në Zyrën e Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish‐Jugosllavi në Tiranë”, theksoi ai.

Balla publikoi një video përmbledhëse të dëshmive të dhëna lidhur me këtë çështje në medie.

Vetë Lulzim Basha i ftuar në një studio televizive deklaroi se “asnjëherë nuk e ka takuar zotin Bellanica”.

Ndërkohë, Milaim Bellanica shprehet: “Atë natë kur u transmetua për herë të parë nga BBC, mbas një ore, 1 orë e gjysmë, ka zbritur helikopteri në atë shtëpinë ku kam qenë unë për të fjetur. Lulzim Basha më ka thirrur: “Melaim Bellanica a je aty? Kush të ka paguar ty të bësh këtë incizim? Lulzim Basha drejtpërsëdrejti”.

Latif Gashi, ish-komandat i UÇK në zonën e Llapit, një nga luftëtarët e UÇK që është arrestuar nga UNMIK dhe është dënuar me akuzat për krime lufte, tregon pas shumë vitesh procesesh gjyqësore, se Lulzim Basha, aktualisht kreu i PD-së, ka marrë pjesë në arrestimin e tij.

“Ai edhe sjellje të tjera jo humane. Jo me lujt rolin e përkthyesit por rolin e një polici, si më përpara kur na kanë hy policët serb. Nuk ka qenë vetëm Lulzim Basha. Ka qenë edhe çika e Sali Berishës, Argita, edhe ajo ka qenë me maskë”, shprehet Gashi.

Bashkim Shala, një prej gazetarëve kuksianë që raportoi eksodin biblik të shqiptarëve të Kosovës thekson: “Fati deshi që në krizën e Kosovës të vitit ’99 të ishim në vendin dhe kohën e duhur. Kur shkonim në prefekturën e Kukësit, në katin e dytë te zyra e informacionit për të takuar zëdhënësin, atu kemi gjetur dy persona. Një person ishte një djalë i ri dhe një tjetër ishte person me ngjyrë. Jemi prezantuar me ta dhe njëri prej tyre rezulton se paska qenë lideri i sotëm i opozitës, Lulzim Basha. Atëherë nuk e dija. Ishte një djalë i ri që na prezantoi edhe me kolegun e tij. Na tha se ky është nga Afrika e Jugut”, shprehet Shala.

Ai tha se “Basha me kolegun e tij punonin për Tribunalin e Luftës në ish-Jugosllavi”.

“Pastaj janë vendosur në një zyrë pranë prokurorisë së shkallës së parë të Kukësit në katin e tretë. Unë nga që e dija për misionin e tyre që kishin, dëshmitë që i mblidhja për shtyp dhe ato që më dukeshin më pikante ia jepja, ia rekomandoja për në këtë zyrë”, tha ai.

Ndërsa gazetari dhe botuesi Karlo Bolino, u shpreh në një studio televizive se : “E kam parë Bashën në Kukës në fillim mars- prill 1999. Por ai ka ardhur në Kukës si përfaqësues i gjykatës për krime ndaj ish-Jugosllavisë, i shoqëruar nga një prokuror afrikano-jugor. Unë isha atje si gazetar i ANSA-s dhe unë kam intervistuar personalisht dëshmitarin e parë që sapo kishte ardhur nga Krusha e Madhe dhe ka treguar masakrën që ka ndodhur. Intervista është transmetuar nga ANSA në 5 prill. Të njëjtën ditë, Basha bashkë me prokurorin afrikano-jugor ka marrë në pyetje të njëjtët dëshmitarë”, u shpreh Bolino./atsh

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu