“Basha edhe strategjinë e fitores e ka me gjumë”, Spiropali: Vaksina për koronavirusin do jetë falas

TIRANË – Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot gjatë një interviste televizive se vaksina antiCOVID do jetë falas.

“Vaksina do të jetë falas. Ne kemi kaluar në buxhetin 2021, atë që quhet pagesa për rezervimin e kësaj vaksina, ashtu si shumë vende të përgjegjshme. Nuk kemi bërë asgjë me shumë por asgjë më pak nga shumë prej vendeve europiane për ta rezervuar këtë vaksinë dhe për ta vënë në dispozicion të popullatës. Ashtu siç edhe po vazhdon vaksinimi i popullsisë me vaksinën e gripit të stinës”, – tha Spiropali.

“Ne jemi munduar që çështjen e COVID-19 dhe të pandemisë mos ta përziejmë me politikën e ditës. Ne e shohim shumë të rëndësishme këtë, sepse virusi nuk është blu, i kuq, mavi nuk prek vetëm demokratë dhe socialistë por është një fatkeqësi që i ka rënë mbi krye botës dhe vendeve më të zhvilluara se ne dhe ka nevojë kohezion, kuptueshmëri dhe ka nevojë për një lloj konsensusi politik dhe vetëm këtu ndodh që edhe COVID-19 dhe pandemia bëhen objekt bisede jo për të trajtuar zgjidhjen, por që të dalësh me së dhe me figurë kur je lideri i opozitës, pretendenti për kryeministër dhe të pretendosh që shifrat e vdekjeve apo të vdekurve nga COVID-19 po fshihen është një turp i paimagjinueshëm. Ata që e kanë këshilluar Bashën i kanë bërë një dëm të madh edhe atij, por bëjnë dëm edhe në opinionin publik”, – theksoi ajo.

Spiropali shtoi se njerëzit aktualisht kanë një ngarkesë psikologjike me situatën dhe nuk mund të luhet në këtë mënyrë për arsye politike.

“Përfytyroni Basha dhe strategjia e tij për fitoren fle te spitalet, pra edhe strategjinë e fitores e ka me gjumë. Për të mos folur për qasjen që ka partia tjetër jashtë parlamentit. Kryetarja Monika Kryemadhi dhe të gjithë grupi që shkon pas shkojnë në aktivitete publike ku shkelin ligjin haptaz, siç ishte ajo në varrezat e Dëshmorëve, takojnë njerëz, u japin dorën, nuk vënë maskën duke sfiduar edhe nervat e publikut, por edhe ligjin. Përgjigjen do ta marrin edhe për këtë arsye me 25 prill. Parti që nuk ka asnjë strategji në fitore por vetëm përdorimin e sëmundjeve dhe përdorimin e vdekjes dhe të morgut fatkeqësisht, sepse zbritën deri në këtë nivel”, – tha ajo.

Në lidhje me pyetjen se do ketë një hetim për deklaratat e PD-së, Spiropali tha se u takon autoriteteve nëse do nisin ose jo hetime.

“Të vesh në dyshim paraprakisht dhe në grup mjekët që janë në frontin e parë të luftës me pandeminë, duke thënë se ata në emër të qeverisë po fshehin vdekjet kur ata kanë përgjegjësinë njerëzore, profesionale dhe ligjore për çdo kartelë që plotësojnë, kjo është një çmenduri, për të thënë se është një tradhti në kohë të tillë. Mjekët jo vetëm duhet të përballojnë valën e të sëmurët, por duhet të dëgjojnë nga portale dhe deklarata zyrtare sulmet ndaj tyre”, – tha Spiropali.

Në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, Spiropali tha se “ne shpresojmë shumë dhe kemi bërë gjithçka si mazhorancë që Reforma në Drejtësi në tërësi të kalojë e paprekur në ngritjen e institucioneve në buxhet që duke alokuar. Përgjegjësia është e trefishtë se është Kuvendi i Shqipërisë është dhe Presidenca dhe institucione të tjera që kanë përgjegjësi për paraqitjen e kandidaturave. Ne besojmë që shumë shpejt, brenda këtyre muajve të mbyllet ngritja e gjykatës kushtetuese dhe e Gjykatës së Lartë për t’u bërë funksionale dhe besoj se jemi në kohë për ta përfunduar”.

“Për sa i përket integrimit dhe lidhjes që Reforma në Drejtësi ka me procesin e integrimit është një lidhje e pazgjidhshme sepse edhe kërkesat që janë bërë Reforma në Drejtësi është në krye të kërkesave por është në krye të lëvdatave përsa i përket reformave të ndërmarra në të gjithë rajonin e Ballkanit. Janë kaluar dhjetëra ligje përveç votimit në 2016 të paketës, të ndryshimeve kushtetuese. Janë miratuar ligje, është ngritur BKH është ngritur SPAK. Vetingu po bënë punën e tij dhe janë larguar nga drejtësia prokuror dhe gjykatës të korruptuar dhe do ngrihet Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë në këtë fazë”, –  tha ajo.

Përsa i përket integrimit Spiropali tha se, “në mars të 2020 Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë marrë dakordësinë pa kthim për sa i përket negociatave, çështja është takimi i parë në tryezën ndërqeveritare për të filluar procesin e negocimit të kapitujve, por puna nuk ka ndalur në asnjë hap. Sigurisht ka arsye të tjera siç ishte rasti i Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut, apo siç mund të ketë vende skeptike për sa i përket datës kur duhet të ulemi, por Shqipëria PO-në e pakthyeshme e ka marrë në mars 2020”.

/ATSh//Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu