Margariti firmos marrëveshjen me homologun turk për restaurimi i Xhamisë së Plumbit në Shkodër

ANKARA- Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe ministri i Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy nënshkruan sot në Ankara marrëveshjen që synon “Restaurimin dhe konstruksionin e sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet për Xhaminë e Shkodrës”.

Margariti tha se “është një fillim i mbarë dhe një ogur i mirë, që një nga punët e para të këtij viti të ri lidhet me restaurimin e shtëpisë së Zotit”.

Por Xhamia e Plumbit në Shkodër, sipas saj, “nuk është thjesht një objekt kulti, por është pjesë e trashëgimisë sonë kulturore”.

“Ndaj dhe Marrëveshja që nënshkruam sot në Ankara, mes Drejtorisë së Përgjithshme të Fondacioneve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, përfaqësuar nga Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë synon “Restaurimin dhe Konstruksionin e sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet për Xhaminë e Shkodrës” merr një rëndësi të veçantë”, tha Margariti.

Ajo tha se “kjo është një marrëveshje e shumëpritur jo vetëm nga banorët e Shkodrës apo besimtarët myslimanë, por edhe për të gjithë shqiptarët, që e kanë të gdhendur në memorie pamjen e xhamisë së përmbytur nga ujërat”.

Margariti shprehu bindjen se “kësaj kohe po i vjen fundi dhe ato imazhe do të jenë vetëm një kujtim”.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu