Lajmi për helmimin e 30 banorëve në Bulqizë, reagon Bashkia: E pavërtetë, nesër dalin analizat e ujit

BULQIZË – Bashkia Bulqizë ka reaguar sonte në lidhje me lajmin për helmimin e rreth 30 personave nga uji i pijshëm në Njësinë Administrative Shupenzë, të publikuar nga disa media të mëdha në vend.

Përmes një reagimi në faqen zyrtare në ‘Facebook’, Bashkia e ka përgënjeshtruar këtë lajm, duke argumentuar se janë bërë të gjitha verifikimet e nevojshme që i hedhin poshtë këto pretendime.

“Në lidhje me këtë çështje, bëjmë me dije se në Njësinë Administrative Shupenzë nuk ka kanalizim të ujërave të zeza, siç pretendohet në lajm. Rrjeti i ujësjellësit në këtë njësi është i ri dhe nuk ka dëmtime në asnjë linjë të ujësjellësit që furnizon me ujë Shupenzën si qendër dhe fshatrat përreth saj si Okshatina, Homeshi dhe Boçeva”, – shkruhet në reagim.

Më tej, në fund të reagimit, Bashkia bën të ditur janë marrë katër kampionë uji në katër pika të ndryshme, dy në Shupenzë dhe dy në Okshtatinë dhe pritet që nesër të dalin përgjigjet e analizave.

Reagimi i plotë i Bashkisë Bulqizë:

Nisur nga një lajm i publikuar nga disa media të Tiranës në lidhje me helmimin e rreth 30 banorëve të Njësisë Administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë bën me dije se ky një lajm është i pavërtetë.

Menjëherë pas publikimit të lajmit, Bashkia Bulqizë bëri verifikimet e nevojshme dhe të gjitha pretendimet rezultojnë të jenë të pavërteta. Në lidhje me këtë çështje, bëjmë me dije se në Njësinë Administrative Shupenzë nuk ka kanalizim të ujërave të zeza, siç pretendohet në lajm. Rrjeti i ujësjellësit në këtë njësi është i ri dhe nuk ka dëmtime në asnjë linjë të ujësjellësit që furnizon me ujë Shupenzën si qendër dhe fshatrat përreth saj si Okshatina, Homeshi dhe Boçeva.

Gjatë tre ditëve të fundit, ekipet teknike të ujësjellësit kanë monitoruar çdo segment që përbënte rrezik për tu dëmtuar nga reshjet e shiut dhe prurjet e lumenjve dhe përrenjve. Nga ky monitorim rezulton se të gjithë rezervuarët dhe vendburimet e ujit janë me elementë të plotë sigurie dhe të monitoruar nga manovruesit dhe rojat e ujësjellësit.
Gjithashtu është verifikuar edhe cilësia e ujit në të gjithë rezervuarët e fshatrave dhe është konstatuar se gjithçka është brenda normalitetit.

Gjatë pasdites së sotme janë marrë katër kampionë uji në katër pika të ndryshme, dy në Shupenzë dhe dy në Okshtatinë dhe pritet që nesër të dalin përgjigjet e analizave.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu