Situata nga moti i keq në Bulqizë; Bashkia bën bilancin e problematikave të shkaktuara

BULQIZË – Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në zona të ndryshme të Bashkisë Bulqizë, ku ndër më problematiket paraqitet ajo që lidh Qytetin e Ri me Qytetin e Vjetër.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Bashkia ka bërë me dije se Shtabi i Emergjencës dhe ekipet e punës kanë qenë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo vend ku ka patur përmbytje dhe rrëshqitje të rrugës.

Në lidhje me zonën që lidh Qytetin e Ri me Qytetin e Vjetër, ekipi i ekspertëve ka konstatuar se në këtë hapësirë krijohet një pellg ujë mbledhës, gjë që kërkon ndërhyrjen e menjëhershme në njërin prej mbikalimeve të Rrugës së Arbrit, pasi vepra e artit (Tubo Sider) e vendosur në atë pikë është mbi kuotën e rrjedhjes së kanalit kryesor. Në këtë pikë është vendosur edhe një “Buypass tombino”, e cila ka shërbyer si shkarkues uji gjatë ndërtimit të “Tubo Sider” dhe që është me kuotë dy metër më poshtë nga dyshemeja e tij, e cila nuk përballon prurjet nga reshjet e shtuara gjatë këtyre ditëve.

Ndërkohë, në lidhje me këtë problematikë, Kryetari i Bashkisë z.Lefter Alla ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë që të ndërhyhet sa më parë në këtë segment rrugor.

Nga ana tjetër, përgjatë gjithë natës së kaluar, ekipet e punës kanë qenë në Fushë Bulqizë, ku ndërhynë dhe devijuan shtratin e Përroit të Thatë, prurjet e të cilit mund të shkaktonin përmbytje të mëdha. Aktualisht, pavarësisht reshjeve të shumta dhe prurjeve të mëdha, situata në zonat ku kalon ky përrua nuk paraqet probleme.

Ndërhyrje u bënë edhe me devijimin e Përroit mbi Lagjen Çupe, i cili sërish rrezikonte të dilte nga shtrati dhe të shkaktonte përmbytje.

Reshjet shkaktuan probleme edhe në njësitë administrative Gjoricë dhe Zerqan, ku pas ndërhyrjeve të bëra edhe atje situata shfaqet jo problematike.

Bashkia Bulqizë po ndjek nga afër situatën me një angazhim maksimal për të shmangur çdo vështirësi të shkaktuar nga reshjet.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu