108-vjetori i themelimit të Policisë së Shtetit, Çuçi: Ndër institucionet më të besueshme në vend

TIRANË – “Policia e Shtetit është ndër institucionet më të besueshme në vend”, deklaroi sot ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi, gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e 108-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit.

Çuçi tha se “Qeveria prej vitesh tashmë ka një objektiv të qartë, atë të integrimit në familjen e madhe europiane”.

“Për ta bërë realitet këtë ëndërr të të gjithë shqiptarëve, duhet të kemi në radhë të parë institucione të konsoliduara, e ndër to, një peshë kryesore mban Policia e Shtetit. Nga takimet e zhvilluara mes përfaqësuesve të Qeverisë sonë dhe zyrtarëve të BE-së, ka rezultuar qartë barra e Ministrisë së Brendshme në ndjekjen e çështjeve që kanë të bëjnë me Kapitullin 24 të marrëveshjes për “sigurinë, drejtësinë dhe lirinë” etj”, tha ai.

Tema të tilla si lufta kundër krimit, drogës, trafiqeve të ndryshme, ekstremizmit, migracionit, sigurisë kufitare etj., janë mjaft sensitive për vendet e BE-së, tha ministri, ndërsa shtoi se “për plotësimin e këtyre detyrave, Policia e Shtetit ka një ngarkesë të shtuar specifike”.

“Kjo do të jetë një sfidë e hapur për organizatën, por unë shpreh besimin se në përfundim edhe kjo sfidë do të kapërcehet me sukses. Ky besim është i natyrshëm dhe i prekshëm nga të gjithë”, tha Çuçi.

Ministri theksoi se “mjafton t’u referohemi sondazheve të opinionit të javëve të fundit e jo vetëm, ku rezulton se Policia e Shtetit është ndër institucionet më të besueshme në vend”.

“Ky besim nuk është një rastësi, por fryt i punës, përkushtimit, sakrificave të të gjithë trupës, e kombinuar kjo me një sërë reformash e investimesh të kryera vitet e fundit. Ndër aspektet pozitive të ndryshimeve në radhët e Policisë është përtëritja e radhëve të saj me elementë të rinj, të aftë, të përgatitur e të përkushtuar”, tha ai.

Ne, vijoi Ministri Çuçi, “po përpiqemi të bëjmë më të mirën duke krijuar mundësitë për çdo të ri që ka një formim akademik, të bëhet pjesë e organizatës së Policisë së Shtetit”.

“Të mbajmë parasysh faktin se jemi ndër vendet me numër më të ulët trupash policore për numër popullsie në rajon ndoshta dhe më gjerë. Këtë mangësi po përpiqemi ta mbushim sa është e mundur nëpërmjet aplikimit të teknologjive të reja, e metodave moderne të policimit”, tha ai.

Viti që lamë pas, sipas Ministrit të Brendshëm, nisi me sfidën për zbulimin e konfiskimin e pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme e kriminale.

“OFL bëri të mundur sekuestrimin e qindra pasurive dhe aseteve të vëna në rrugë kriminale, duke hequr nga duart e krimit miliona euro, e ky proces këtë vit është drejt finalizimit. Paralelisht me këto aksione, trupa e policisë ka një vëmendje konstante në luftën kundër krimit, drogës, trafiqeve e paligjshmërive të ndryshme. Këto janë ndër prioritetet e punës për të cilën merr kuptim vetë ekzistenca e strukturës së Policisë së Shtetit”, tha ai.

Po ashtu, Çuçi solli në vëmendje edhe një studim të mbështetur nga qeveria suedeze në kuadër të programit për forcimin e policimit në komunitet, me të njëjtën metodologji që përdoret edhe në vendet e Bashkimit Europian, ku ofrohen të dhëna shumë domethënëse për punën e Policisë së Shtetit, që në shumë aspekte qëndron në mesataren e vendeve të BE-së.

“66% e publikut mendon se Policia e Shtetit po bën një punë të mirë krahasuar me 36% në vitin 2013. 80% e të intervistuarve deklaruan se ndihen të sigurt. Këto janë garanci të ofruara nga qytetarët për punën e policisë, por edhe një shtysë për të bërë më tepër, me qasjen si një shërbim ndaj qytetarit, jo si forcë shtrënguese”, tha ai.

Ndërkohë, Çuçi tha se “viti 2021 do të sjellë një ngarkesë jo të lehtë për Policinë e Shtetit e Ministrinë e Brendshme, pasi është vit zgjedhor”.

“Policia ka detyra specifike për sigurimin e mbarëvajtjes së tyre. Ky angazhim do të kërkojë një shpenzim shtesë kohe dhe energjie”, tha ai.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu