TIRANË – Gjykata e Tiranës ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Tire Alldervishin, pastruesen e spitalit COVID-2, e cila akuzohet se nëpërmjet mashtrimit a zhvatur familjarët e një pacienteje të shtruar me COVID-19, në gjendje të rëndë.
Pastruesja Alldervishi, duke u hequr sikur ishte infermiere në spitalin COVID-2 (Shefqet Ndroqi), akuzohet se i ka marrë rreth 800,000 lekë (të reja) ryshfet vajzës së një pacienteje të shtruar në spital, në gjendje të rëndë nga sëmundja COVID-19, në këmbim të shërbimit.
Gruaja në fjalë ishte shtruar në spitalin COVID-2 më 28 nëntor të vitit të kaluar dhe ndërroi jetë në spital më 25 dhjetor.
Vajza e 55-vjeçares akuzoi pastruesen Tire Alldervishi në emisionin “Stop” se ajo i është prezantuar si infermiere dhe se e ka mashtruar, duke i marrë shuma të mëdha parash me pretendimin se do të kujdesej për të ëmën e saj.
Por ndërkohë, mesazhet në “Whatsapp” të vajzës me nënën e saj kanë treguar se e sëmura ishte lënë edhe pa ushqim.
Në seancën e sotme gjyqësore, avokatët kanë deklaruar se klientja e tyre është në gjendje jo të mirë psikologjike dhe se ka qenë e prekur me COVID-19, ndaj kanë kërkuar një masë më të lehtë sigurie.
“Ngjarja është e rëndë për opinionin publik. Do kërkojmë hetim të plotë. E mbrojtura prej nesh është në gjendje jo të mirë psikologjike. Ka qenë e prekur me COVID dhe gjendja shëndetësore nuk është e mirë. Kërkojmë një masë më të lehtë me afat 1-mujor. Do të sjellim prova që japin një tjetër tablo”, – deklaruan sot avokatet.
Prokurori Bledar Valikaj i cili këkoi masën e “arrestit me burg” deklaroi se sanitarja i mori 2 mijë lekë vajzës së pacientes vetëm për t’i futur celularin brenda në spital dhe se paratë i mori me pretendimin për t’ua çuar infermiereve.
Prokurori Valikaj, tha se po hetohet nëse kemi të bëjmë me një skemë zhvatjeje ndaj të sëmurëve me COVID-19.