Sherri mes pronarëve të pallatit në Tiranë; arrestohen 5 persona, në kërkim autori i të shtënave me armë zjarri

TIRANË – Policia e Shtetit ka njoftuar mëngjesin e sotëm se ka zbardhur dhe dokumentuar ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në kryqytet, ku një konflikt mes dy pronarëve të një objekti në ndërtim në zonën e ish-parkut të autobusëve ka përfunduar me plagosjen me armë zjarri të njërit prej tyre, 42-vjeçarit Sino Llanaj.

Policia bën me dije se deri më tani ka arrestuar në flagrancë pesë shtetas, katër prej të cilëve për ‘moskallëzim krimi’ dhe njërin për ‘veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’. Gjithashtu po procedohet penalisht edhe një shtetas tjetër, po për ‘veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’.

Policia thotë se ka bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të njërit prej shtetasve që ka qëlluar me armë zjarri, por se për arsye hetimore nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tij.

Konflikti ndodhi ditën e djeshme mes  biznesmenëve Sino Llanaj dhe Albert Allmuça.

Dy biznesmenët Llanaj dhe Allmuça, bashkëpronarë në pallatin që po ndërtohet, kanë  konflikt për çështje borxhi.

Kujtojmë se gjatë përplasjes së djeshme, u plagos edhe një kalimtar i rastit, ndërsa roja i pallatit u sulmua me sende të forta.

Sipas hetimeve, Allmuça ka pasur dijeni që në pallatin që po ndërton kanë shkuar një grup personash për t’u konfliktuar.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në rrugën “Ndre Mjeda”.

Vihen në pranga 5 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas tjetër.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një sasi municioni, një armë e ftohtë dhe 5 aparate celular.

Specialistët  për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në rrugën “Ndre Mjeda”, ku u plagosën me armë zjarri 2 shtetas dhe u dëmtua me sende të forta një shtetas tjetër.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A.A., 53 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”;

S. Ll., 46 vjeç, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

Sh. B., 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

S.M., 52 vjeç, dhe A. L., 48 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”;

Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. K., për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore ka rezultuar se shtetasi S. Ll., së bashku me persona të tjerë, ka shkuar në kompleksin në rrugën “Ndre Mjeda”, ku janë konfliktuar fizikisht me rojet e sigurisë duke përdorur sende të forta dhe armë zjarri.

Policia ka bërë të mundur identifikimin e njërit prej shtetasve (për arsye hetimore nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tij), i cili ka qëlluar me armë zjarri. Po punohet për kapjen e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu