Vuçiçi e quajti ‘të rrezikshëm’, reagon Haradinaj: Shqetësimi i tij do të thotë që jemi në rrugë të drejtë

BEOGRAD – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili u shpreh se formimi i Shqipërisë së Madhe është një kërcënim serioz për Serbinë.

Këto deklarata Vuçiçi i bëri duke iu referuar Haradinajt, në kuadër të zgjedhjeve në Kosovë. “Nëse ai zgjidhet në ndonjë funksion dhe nëse bashkëpunon me Kurtin, është e qartë se ata të dy angazhohen për bashkim (kombëtar). Ne këtë e pranojmë si fakt politik, për të cilin do të guxojmë të reagojmë. Krijimi i ‘Shqipërisë së Madhe’ është kërcënim për Serbinë dhe BE-në”, – ka thënë Vuçiç më herët.

Ndërkohë, duke iu përgjigjur kësaj deklarate, Haradinaj ka thënë se për sa kohë Vuçiçit i duket i rrezikshëm, atëhere është në rrugë të drejtë.

“Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë!
Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon.

Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Tutje, Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB. Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejten tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës.

Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi”, – shkruan Haradinaj në një postim në ‘Facebook’.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu