LISBONË – Ekipet portugeze Sporting Braga dhe Porto u përballën mbrëmë në një ndeshje kupe që u mbyll me barazim 1-1. Një duel shumë i luftuar, me dy kartonë të kuq për skuadrën mike.
Veç kësaj në këtë përballje u regjistrua edhe një episod që tërhoqi vëmendjen. David Carmo, futbollist i skuadrës vendase, u dëmtua në gjysmën e pjesës së dytë.
Ai nuk mund të vazhdonte lojën dhe u desh që autoambulanca të futej në fushë për ta marrë dhe për ta transportuar. Mirëpo aty lindi një problem, që më pas u zgjidh nga vetë futbollistët në fushë.
Për shkak të reshjeve të shiut, autoambulanca nisi të xhironte në barin e fushës dhe e kishte të pamundur të lëvizte. Menjëherë në ndihmë të saj shkuan futbollistët, të cilët duke e shtyrë nga pas, e ndihmuan të dilte. Sigurisht që gjithçka u filmua nga kamerat dhe videot u kthyen virale në rrjetet sociale.