Nuk zbatuan masat ati-COVID; Rekord qytetarësh të gjobitur gjatë fundjavës

TIRANË – Gjatë fundjavës, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative, 2986 shtetas që nuk zbatuan masat anti-COVID, 2958 prej tyre për mosvendosjen e maskës mbrojtëse.

Gjatë fundjavës, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 2428 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 530 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve në fundjavë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 4 subjekte që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë: 1 në Tiranë, 2 në Elbasan dhe 1 në Sarandë. Për administratorin e secilit subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 24 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.

Në zbatim të masave anti-COVID, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu