LEZhË – Mhill Gega, 60-vjeçari që dyshohet se aksidentoi qëllimisht për vdekje ish-kolegun e tij, Mark Gjeta, disa ditë më parë, ka tentuar vetëvrasjen në qelinë e paraburgimit të Shënkollit.
Lajmi është konfirmuar për mediat nga familjarët e tij, të cilët thonë se ai ka tentuar të presë damarët dhe është dërguar për mjekim në spital.
Gega është vënë në akuzë për vrasje me dashje dhe Gjykata e Lezhës ka caktuar ndaj tij “arrest me burg”.
Burime për mediat bëjnë me dije se autori dhe viktima kishin pasur konflikte mes tyre prej një viti.
Ditën e ngjarjes, në debat e sipër, viktima i ka dalë përpara makinës duke i thënë se nuk mund t’i bënte asgjë. Por Gega nuk është menduar dy herë dhe i ka dhënë gaz makinës duke e përplasur Gjetën. Për pasojë ky i fundit ka ndërruar jetë.