“Jam lypësi më i gjatë në planet”, Rama: Po finalizojmë marrëveshje për vaksinat me një shtet mik

TIRANË – Gjatë një konference me gazetarët, kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria e tij është në bisedime e sipër me disa shtete për të siguruar vaksinat anti-COVID, ndërsa shtoi se ‘me një vend mik’ pritet vetëm vula e kësaj marrëveshje.

Ndonëse nuk bëri të ditura detaje, Rama tha me batutë se është ‘lypësi më i gjatë në planet’. Mes të tjerash ai iu bëri thirrje edhe të rinjve që të respektojnë masat anti-covid, ndërsa shtoi se vaksinimi do të nisë nga moshat më të mëdha, duke zbritur.

“Të rinjtë që po rriskohen, të ruhen. Ata duhet të bëjnë çmos që të mos bëhen pjesë e shkeljeve. Ky virus është i rrezikshëm për të gjithë.

Ne nuk do të shpikim rrotën dhe do të bëjmë një proces të sajuar me forcat tona. Strategjitë kanë një emërues të përbashkët; nga mosha më e madhe e poshtë. Nga mjekët dhe infermierët, tek mësuesit, policët dhe horizontalisht më tutje. Çështja është sasia, pasi u bë një boboli për 20 e ca të moshuar, që janë…, dihet kush janë, në kuadër të vaksinimit të disa qindra prej tyre dhe natyrisht kjo vjen nga stresi i sasisë.

Ne po luftojmë për sasi, këtë di t’ju them. Kemi marrë konfirmim për 360 mijë vaksina AstraZeneca që do të hyjnë në proces dhe më pas do të zbresim shumë shpejt tek 65 vjeçarët edhe më poshtë. Jemi duke diskutuar afër një sasie tjetër të konsiderueshme. Por kuptoni pozitën time se nuk janë gjëra të finalizuara, pasi thonë; oh e tha dhe se mbajti. Ne do të kemi 41 mijë dozat e Pfizer brenda marsit, siç e kam thënë dhe pastaj vazhdojmë në prill me vaksinat e tjera.

Ajo që na duhet është vula mbi marrëveshjen e shtetit mik, ndaj pres me çdo ditë, por duhet vula. Edhe po nuk u bë, mund t’ju tregoj dokumentet që procesi ka ndodhur, biseda. Jam lypësi më i gjatë në planet pa diskutim”, – tha kryeministri Rama.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu