Përse e kërkojmë një mandat të tretë të PS? Ja arsyet që jep Lefter Alla

Kryetari i bashkisë Bulqizë Lefter Alla ka shpjeguar arsyet se përse PS-së i duhet besuar edhe një mandat i tretë, sidomos kur bëhet fjalë për qarkun e Dibrës.
Përmes një postimi në Facebook, ai rendit arsyet e mëposhtme duke shkruar:
Për çdo skeptik, arsyet janë mëse të thjeshta dhe të domosdoshme: Duhet të vazhdojmë me çuarjen deri në fund të reformave që kemi nisur.
Ne premtuam dhe mbajtëm fjalën për
– Rikonstruksionin e të gjitha institucioneve arsimore në të gjithë territorin e Bashkisë Bulqizë;
– Shtrimin, hapjen, rehabilitimin e rrugëve deri në skajet më të thella të Bulqizës;
– Nisjen e punimeve të projektit për ndërtimin e ujësjellësve të qytetit, Gjoricës dhe së shpejti edhe të Krastës;
– Hapjen dhe ndërtimin e mbi 150 kilometër kanaleve vaditëse në të gjithë bashkinë tonë;

  • Rruga e Arbrit është një premtim tashmë i bërë realitet
  • Nisëm punën për rrugën Ura e Cerencit-Zgosht (Librazhd)

Kemi qenë kudo me projekte në çdo njësi administrative
– Në Zerqan, përveç kanalit vaditës përfundoi edhe Ura e Tre Çezmave;
– Asfaltuam rrugën e Kodrës së Danit;
– Jemi në prag të nisjes së rrugës Ura e Serbinit-Shtushaj;
– Përfunduam punimet për unazat e qytetit.

Minatorët
Për minatorët, edhe pse duhet akoma më shumë, dua të theksoj se qeveria u ka kushtuar atyre vëmendje të veçantë, përtej të gjithë skepticizmit që flitet gjerësisht.
Kujtoj që deri në vitin 2013, pothuajse çdo punonjës i minierave ishte i pasiguruar, me rroga që i merrnin dorazi. Sot, çdo minator gëzon një kontratë pune me të gjitha përfitimet që parashikon ajo. Ndërkohë, u ul mosha e pensionit për minatorët, e cila ishte një premtim i vitit 2013. Ndërkohë, u realizuar hapja e pusit të thellësisë, e cila i shton jetë minierës edhe për shumë vite të tjera. Në mandatin e tretë, do të adresojmë zgjidhje për të gjitha shqetësimet e ngritura.

A jemi të kënaqur me këto?
Sigurisht që jo dhe kemi akoma shumë për të bërë.
Por nuk duhet të harrojmë se gjatë këtij mandati qeverisës, jemi përballur me dy sfida të papërjetuara më parë, tërmeti dhe pandemia.
Në mes të gjithë këtyre pengesave, unë besoj se kemi bërë më të mirën tonë dhe se reformat dhe projektet që kemi nisur kërkojnë edhe një mandat tjetër për t’i çuar deri në fund.
Na besoni sërish më 25 prill që ta bëjmë Dibrën vendin që duam të gjithë.
Unë u bëj apel të gjithë bashkëqytetarëve tanë, që më 25 prill tu drejtohen kutive të votimit, të shprehin vullnetin e tyre të lirë dhe demokratik dhe të mbështesin Partinë Socialiste. Jemi me fat që skuadra fituese e socialistëve dibranë përbëhet nga një ekip intelektualësh, të cilët do të dinë si t’i mbrojnë interesat tona në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu