“Arsyet pse pranova të kandidoja nën siglën e PS”, Damzi: Synoj të rikthej besimin e humbur ndaj të zgjedhurve

DIBËR – Kur na ndajnë më pak se 2 javë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, kandidati i Partisë Socialiste për deputet në qarkun e Dibrës, Melaim Damzi, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka treguar sot për votuesit dibranë arsyet e pranimit të kandidaturës nga kryeministri Edi Rama.

Damzi shkruan se gjatë karrierës së gjatë të tij si mjek në Dibër, ka pasur rastin të njihet me shumë qytetarë të këtij qarku, duke theksuar se ka vendosur të kandidojë me synimin për të rikthyer besimin e humbur të qytetarëve ndaj të zgjedhurve të tyre.

Ai thotë se këtë mund ta arrijë vetëm përmes disa pikave, të cilat i rendit më poshtë në vijim të postimit të tij.

May be an image of 1 person dhe tekst

Postimi plotë i kandidatit Damzi:

Të dashur bashkëqytetarë të Dibrës, Matit, Bulqizës dhe Klosit,
Si mjek në profesion, kam pasur rastin të njihem me shumë nga Ju, nga qendrat e qyteteve e deri në zonat më të largëta, në ditë të mira e nga ato të padëshirueshmet, por që janë pjesë e pandarë e jetës.
I bindur se Ju meritoni gjithnjë e më shumë vëmendje, dëshiroj të ndaj disa nga arsyet se përse pranova të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit.
Unë vij me synimin për të rikthyer besimin e humbur të qytetarëve ndaj të zgjedhurve të tyre, gjë që mund ta bëj vetëm
 Duke u gjendur aty ku ka nevoja dhe probleme e duke i adresuar ato për zgjidhje në institucionet përgjegjëse;
 Duke qenë zëri në Kuvend i atyre që s’kanë arritur të përfaqësohen siç duhet deri më sot;
 Duke ndërhyrë tek qeveria dhe duke lobuar me organizata kombëtare e ndërkombëtare për sa më shumë projekte në dobi të banorëve të qarkut tonë;
 Duke mbështetur katër bashkitë tona në sigurimin e sa më shumë fondeve dhe projekteve në të mirë të komunitetit;
 Duke penguar shkatërrimin e investimeve që janë bërë deri më sot;
 Duke ndihmuar në finalizimin e punëve të nisura;
 Duke promovuar Dibrën brenda dhe jashtë vendit;
 Duke njohur investitorët vendas dhe të huaj me mundësitë që ofron qarku ynë.

Mbi të gjitha, duke qenë një shërbëtor i përkushtuar ndaj të gjithë juve që do të më mbështetni në rrugëtimin më me përgjegjësi që kam pranuar të kem.

Përzemërsisht,
Dr.Melaim Damzi

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu