Lojërat Olimpike të Tokios mund të anulohen për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19

TOKIO– Lojërat Olimpike të Tokios mund të anulohen nëse numri i personave të infektuar me koronavirus vazhdon të rritet në Japoni, deklaroi Toshihiro Nikai, sekretari i përgjithshëm i Partisë Liberale Demokratike (LDP) në pushtet në Japoni.

Duke folur në televizionin kombëtar, Nikai tha se Komiteti Organizativ i Lojërave Olimpike në Tokio po monitoron nga afër situatën në lidhje me rritjen e numrit të rasteve me COVID-19 në vend, gjë që mund ta bëjë më të vështirë organizimin e garës.

Ai theksoi se është e nevojshme të merret parasysh mundësia e anulimit të lojërave nëse qëndron trendi i rritjes së numrit të infeksioneve të reja. “Kur të vijë koha për atë, do të detyrohemi të marrim një vendim. Për shembull, mund të detyrohemi të ndalemi urgjentisht”, tha Nikai.

Një studim i agjencisë së lajmeve Kyodo i kryer këtë muaj zbuloi se vetëm 24.5 për qind e qytetarëve në të gjithë vendin dëshirojnë që Lojërat Olimpike të mbahen në datën e planifikuar.

Lojërat Olimpike të Tokios duhej të mbaheshin nga 24 korrik deri më 9 gusht të vitit 2020, por për shkak të pandemisë së koronavirusit, ato u shtynë dhe vendosën të mbahen nga 23 korrik deri në 8 gusht të vitit 2021./atsh

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu