35 viktima nga COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut

ShKUP – Maqedonia e Veriut regjistroi të enjten 35 viktima nga sëmundja COVID-19 dhe 890 raste të reja pozitive.

Numri më i madh i viktimave, sipas raportit ditor të Ministrisë së Shëndetësisë, u regjistrua në Shkup – gjithsej shtatë.

Shkupi regjistroi edhe numrin më të madh të rasteve të reja pozitive: 349.

Të dhënat e rasteve të reja i referohen testimit të 3,284 mostrave.

Sipas raportit, në 24 orët e fundit, 1,024 persona u shëruan nga koronavirusi.

Kjo është shifra më e lartë e të shëruarve në dy javët e fundit, kur edhe ka pasur numër të lartë të të infektuarve.

Që nga paraqitja e pandemisë, pranverën e vitit të kaluar, në Maqedoninë e Veriut me COVID-19 janë diagnostikuar 145 mijë persona.

Prej tyre, 4,357 e kanë humbur jetën, rreth 120,000 janë shëruar, ndërsa afër 20 mijë janë ende raste aktive.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, tha se në ditët në vijim do të vendoset nëse do të ketë shtrëngim masash apo nëse këto që janë, do të mbeten në fuqi.

“Gjithçka varet nga gjendja epidemiologjike. Vlerësimin e saj do ta bëjmë në ditët në vijim dhe çdo vendim që do të merret, do të ketë për bazë gjendjen me infektimet. Shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha”, tha Filipçe.

Masat aktuale përfshijnë orën policore gjatë natës.

Filipçe bëri të ditur se, gjatë muajit prill, në Maqedoninë e Veriut do të mbërrijnë 20 mijë vaksina Pfizer/BioNTech kundër sëmundjes COVID-19, si dhe 200 mijë vaksina kineze Sinofarm.

Në Maqedoninë e Veriut, deri më tani, janë vaksinuar rreth 32 mijë persona me vaksinën e kompanisë anglo-suedeze AstraZeneca dhe atë ruse Sputnik V.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu