Mbyllja e numërimit të votave preferenciale në Dibër/ Damzi falenderon ata që e mbështetën: Shqipëria fitoi

DIBËR – Kandidati i katërt i Partisë Socialiste për deputet në Qarkun Dibër, Melaim Damzi, i cili nuk arriti të bëhej pjesë e Kuvendit të ri për 4 vitet e ardhshme, ka reaguar pas përfundimit të plotë të procesit të numërimit të votave preferenciale në këtë qark.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Damzi i ka falenderuar të gjithë qytetarët e Dibrës për qytetarinë e treguar gjatë këtij procesi zgjedhor, i cili u mbyll me fitoren e opozitës me një diferencë të ngushtë votash, duke bërë që 5 mandatet e këtij qarku të ndaheshin 3-2 pë aleancën opozitare.

Damzi gjithashtu ka falenderuar të gjithë ata qytetarë që e besuan dhe mbështetën me votë më 24 prill, veçanërisht ata të Bulqizës, të cilët e renditën si kandidatin më të vlerësuar në këtë Bashki.

Ai ka vlerësuar gjithashtu kolegët e tjerë kandidatë të skuadrës socialiste për bashkëpunimin, duke u shprehur besimplotë se me fitoren e Partisë Socialiste ka fituar Shqipëria.

Kujtojmë që lista e kandidatëve socialistë për deputetë në qarkun e Dibrës përbëhej nga 6 persona; Lavdrim Krrashi, Aurora Mara, Dionis Imeraj, Melaim Damzi, Spartak Koltraka dhe Anisa Xhika.

Si dy të parët në listë, automatikisht mandatin e kanë marrë Lavdrim Krrashi dhe Aurora Mara. Kjo e fundit rezultoi edhe si më e votuara nga skuadra e tyre, me plot 9367 vota, ndjekur nga Imeraj, me 5154 vota, Damzi 4,609 vota, Krrashi 3,317 vota, Koltraka 1,544 vota dhe Xhika 504 vota. Kujtojmë që numri i votave të nevojshme për të plotësuar herësin për t’u bërë deputet, pavarësisht renditjes në listë, ishte +10 000 vota.

Postimi i plotë i Damzit:

Të dashur bashkëqytetarë të Dibrës, Matit, Bulqizës dhe Klosit,
Zgjedhjet e 25 prillit treguan besimin e shqiptarëve në vizionin e Partisë Socialiste për Shqipërinë evropiane, duke i dhënë asaj një fitore të pastër për katër vitet e ardhshme.
Përtej rezultatit në qarkun e Dibrës, i cili nxori fitues aleancën opozitare me një diferencë të ngushtë votash, ajo që dëshiroj të vlerësoj më shumë është qytetaria e treguar nga të gjithë ju, por edhe nga komisionerët e numërimit të votave, duke e përmbyllur këtë proces në mënyrën më të denjë të mundshme.
Vullneti juaj meriton respekt, siç edhe kërkon një analizë të thelluar dhe reflektim nga ana jonë.
Në këtë moment, shpreh falenderime dhe mirënjohje të thellë për të gjithë ju që më 25 prill shfaqët besimin tuaj ndaj meje, duke më dhënë një mbështetje të gjerë në Dibër, Bulqizë, Klos e Mat.
Mirënjohje të thellë veçanërisht për bashkëqytetarët e Bulqizës, të cilët përmes votës së tyre më renditën si kandidatin më të vlerësuar në këtë Bashki.
Falënderoj të gjithë simpatizantët dhe skuadrën që punoi me përkushtim përkrah meje për një fushatë sa më të moderuar dhe transparente.
Respekt për të gjithë skuadrën e socialistëve dibranë, #LavdrimKrrashi, #AuroraMara, #DionisImeraj, #SpartakKoltraka dhe #AnisaXhika, me të cilët bashkëpunuam fort në këtë eksperiencë zgjedhore.
Mirënjohje për të gjithë familjen socialiste të qarkut Dibër, e cila na mbështeti pa kushte përgjatë gjithë këtyre javëve.
Respekt dhe mirënjohje edhe ndaj të gjithë atyre që pavarësisht se nuk i besuan programit tonë politik, treguan një shkallë të lartë qytetarie, duke iu drejtuar kutive të votimit, si një kontribut i padiskutueshëm për demokracinë shqiptare.
Në përfundim të gjithë këtij procesi, rëndësi ka që SHQIPËRIA FITOI!
Fituan reformat e kryeministrit #EdiRama dhe vizioni i tij për Shqipërinë evropiane.
Fituan shqiptarët që do të gëzojnë projektet madhore që po zhvillohen në ekonomi, infrastrukturën rrugore, aeroporte, shëndetësi, arsim e çdo sektor tjetër jetik për shoqërinë tonë.
Fituan Dibranët, të cilët së shpejti do të gëzojnë të mirat që burojnë nga përfundimi i Rrugës së Arbrit, apo korridoret që lidhin qarkun me pjesën juglindore të vendit.
Me konsideratë të lartë për gjithsecilin prej jush,
Miqësisht
Melaimi

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu