Kadilli nuk i ndahet Bashës: Demokratët më mbështesin mua, ai e mbylli karrierën më 25 prill

TIRANË – Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, i cili shpalli edhe kandidaturën e tij për kryetar të partisë, deklaroi sot se problemi me Lulzim Bashën në 8 vite drejtim në krye të PD i solli asaj vetëm humbje, duke u kthyer në një person të pabesueshëm që ka fytyrën e humbjes dhe jo shpresës për një qeverisje më të mirë.

Në një intervistë për mediat, Kadilli tha se Basha e ka djegur mundësinë e rikandidimit në zgjedhjet për kreun e PD dhe se po e çon partinë në një spirale zbritëse duke e mbyllur ciklin e tij politik.

“Basha me rezultatin e 25 prillit mbylli ciklin e tij politik. Basha ka patur disa raste të rëndësishme në drejtimin e PD për të ekspozuar se sa i zoti është dhe rezultati është negativ. Më i miri është rezultati i 2015-s, pas atij momenti devijoi totalisht në aspekt personal dhe aspak politik. Nëse Basha do zvarritet në politikë ky është vendim i tij”, shtoi ai.

Sipas Kadillit, opozita e tij u konceptua si një opozitë që lufton për një vend të dytë.

“Kryeministër bëhet ai që del i pari në zgjedhje. Që në nisje ai është gabim në koncept. Ky vend ka nevojë për ofertë serioze dhe njerëz të besueshëm. PD ka minimumi 1000 veta më të mirë se Basha dhe se unë, puna është se kush merr kurajën të propozojë diçka të re. Me këtë rrugë të Bashës do shkojmë në spirale zbritëse, vetëm shpejtësinë nuk e dimë ende si do ndodh. Unë marr përsipër ta ngre këtë parti. Kryetari i partisë nuk bën inventarizuesin e vjedhjes dhe unë nuk kam një kryetar parti që të bëj inventarin që më vodhën 200 vota këtu e 100 atje”, – tha Kadilli.

Në lidhje me zgjedhjet për kryetarin e ri të PD më 13 qershor, Kadilli tha se ka një asimetri të madhe pasi Basha ka një makineri elektorale në dispozicion dhe këtë e bënë atë të pabarabartë përpara kandidatëve të tjerë. Megjithatë tha Kadilli ai gëzon mbështetjen morale të demokratëve dhe shpreson që demokratët të votojnë me moral dhe koncepte politike dhe jo për të mos ia prishur liderit aktual.

“Është një garë asimetrie totale nga pikëpamja e mjeteve për të bërë fushatë pasi Basha ka ngritur një makineri të madhe elektorale përballë Ramës dhe atë makineri tani e ka në dispozicion edhe për zgjedhjet për kandidatët këtë herë. Unë gëzoj asimetrinë morale dhe moralisht demokratë janë me mua dhe jo e Lulzim Bashës që është fytyra e humbjes. Shpresoj se ky moral të zgjojë instinktin politik të demokratëve dhe jo atë instinkt për të mos ia prishur liderit, por të shohin veten si lider”, theksoi Kadilli.

Kadilli tha se Basha nuk është një lider që ngjall shpresë e të bëhet një figurë e besueshme për qytetarët, por ka bërë që votuesit “ta sheshin për një thes me miell’.

Sipas tij, nuk vihet në pushtet me premtimin se do rrisësh rrogat, por me alternativat se ti mund të qeverisësh më mirë.

“Një parti konservatore si jemi ne nuk mund ta shndërrojë njeriun në një qenie biologjike me ofertë vetëm materiale, por duhet ta shndërrojë atë në një individ që lufton për vlera dhe kjo do të bënte që të mos e shkëmbente Lulzim Bashën me një thes me miell”, tha Kadilli.

Populli, tha Kadilli, e shiti votën sepse iu duk më mirë se sa oferta e Bashës.

“Shpresa më e mirë vjen kur ti jep garancitë e duhura që do të qeverisësh mirë, jo se do i u rrisësh rrogën. Basha ishte i pabesueshëm, pasi çdo kauzë e lë përgjysmë dhe i jep një shembull të keq qytetarit se ti nuk i bën ato që premton. Kjo parti duhet ta bënte individin më të mirë politikisht dhe të mos e shkëmbenin Lulzim Bashën për thes me miell. Ana morale do të më bëjë fitues. Besoj se nga mbledhjet e mbrëmshme të Këshillit Kombëtar, ata u zhgënjyen edhe vetë. PD-ja ime është ndryshe, është detyrim për një lider që të respektojë kontributet, partia duhet të jetë e pastër dhe pa njolla”, përfundoi Kadilli.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu