Rusia njofton gatishmërinë të organizojë bisedime të drejtpërdrejta palestinezo-izraelite

MOSKË – Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të organizojë bisedime të drejtpërdrejta palestinezo-izraelite për të de-përshkallëzuar tensionet në rritje mes dy palëve.

Duke u adresuar në një konferencë për mediat në Moskë pas një takimi me homologun e tij nga Sierra Leone, David John Francis, kryediplomati rus u bëri thirrje izraelitëve dhe palestinezëve të ndalin luftimet.

“Negociata të drejtpërdrejta dhe vetëm përmes tyre mund të biem dakord për krijimin e një shteti palestinez që do të jetojë në paqe dhe siguri, në përputhje me vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, krah për krah me Izraelin dhe vendet e tjera në rajon. Në mënyrë që të fillojnë negociata të tilla, është e nevojshme të ndalohet dhuna nga të gjitha palët”, – tha Lavrov.

Lavrovi kujtoi se rezolutat e OKB-së për problemin palestinez sigurojnë zgjidhjen me dy shtete të çështjes palestineze dhe ‘status quo-në’ e vendeve të shenjta të Kudsit, si dhe të ndalojnë rreptësisht aktivitetet e paligjshme izraelite.

“Ne dënojmë sulmet nga të dy palët, që shënjestrojnë zonat e banuara. Sulmet kundër objektivave civilë janë të papranueshme”, – tha Lavrov.

Ai po ashtu dënoi aktivitetet e vendbanimeve të Izraelit, duke theksuar se “po merr forma aq ekstreme duke lënë njerëzit në rrugë”.

“Ne besojmë se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të jetë indiferent ndaj asaj që po ndodh. Ekziston kuarteti (në Lindjen e Mesme) i ndërmjetësuesve ndërkombëtarë të cilët janë të detyruar drejtpërdrejtë të kontribuojnë në zgjidhjen e çështjes palestineze”, shtoi Lavrov.

Kryediplomati rus theksoi se Këshilli i Sigurimit i OKB-së “dërgoi të gjitha sinjalet e nevojshme” pas takimit të ditës së djeshme dhe se “tani gjithçka varet nga aftësia e palëve për të negociua dhe vullneti i tyre i mirë”.

“Ne do t’i ndihmojmë ata të gjejnë marrëveshje si për të qetësuar fazën aktuale të nxehtë të konfliktit, ashtu edhe për të filluar negociatat sa më parë”, u shpreh ai.

Francis, nga ana e tij, tha se Sierra Leone konsideron se “një paqe e besueshme dhe e qëndrueshme” për çështjen palestineze është e mundur përmes negociatave politike dhe krijimit të dy shteteve.

“Duhet të jenë dy shtete, Izraeli dhe Palestina, që jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri. Ky është qëndrimi ynë”, u shpreh Francis.

Që nga 10 maji, ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore ndaj Rripit të Gazës, duke vrarë të paktën 200 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, si dhe duke lënë pas një gjurmë masive shkatërrimi në të gjithë territorin. Zyra të medias dhe qendra shëndetësore janë ndër strukturat e shënjestruara. Gjithashtu nga sulmet raketore të Rripit të Gazës ndaj Izraelit deri më tani kanë mbetur të vrarë 10 izraelitë.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu