Bashkia Tiranë ndihmon me 50 mijë euro Komunën e Preshevës për përmbytjet

TIRANË – Bashkia Tiranë do të ndihmojë me 50 mijë euro Komunën e Preshevës, me qëllim lehtësimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet masive si pasojë e reshjeve të shiut.

Këshilli Bashkiak miratoi ditën e sotme vendimin për dhënien e ndihmës financiare në shumën 50 000 euro nga Bashkia e Tiranës për Komunën e Preshevës.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani përcolli shqetësimin mbi situatën e vështirë të krijuar në komunën që ajo drejton për shkak të reshjeve të dendura të shiut, të cilat shkaktuan dëme të konsiderueshme në pronat e qytetarëve, shtëpi private, kryesisht në dy fshatra Rahovicë dhe Raincë, dëmtime në disa ura dhe disa rrugë.

Ajo kërkoi mbështetje nga Bashkia e Tiranës me qëllim përballimin e këtyre pasojave.

Duke marrë në konsideratë situatën e vështirë të krijuar për këto familje, si rezultat i kësaj fatkeqësie natyrore, Bashkia Tiranë shprehu menjëherë gatishmërisë e saj për të ofruar një mbështetje financiare.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu