Rekord gjobash gjatë 24 orëve të fundit/ Policia ‘zbor’ drejtuesve të automjeteve; Pezullohen 74 patenta

TIRANË – Policia Rrugore ka vijuar me kontrollet e shtuara në terren për të evituar shkeljet e Kodit Rrugor nga drejtuesit e autmjeteve, me qëllim parandalimin e aksidenteve, të cilët kohët e fundit kanë shënuar një rritje.

Përmes një njoftimi, policia bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 11 drejtues automjetesh, janë pezulluar 74 leje drejtimi dhe janë ndëshkuar me gjoba 3,037 shoferë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Më konkretisht:

Janë pezulluar 54 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara. Shpejtësia më e madhe e matur me radar është konstatuar në rrugën interurbane tuneli i Kërrabës-Elbasan, ku automjeti i drejtuar nga 21 vjeçari R. B., nga Elbasani, u konstatua me 209 km/orë. Gjithashtu janë pezulluar 20 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;

Janë arrestuar në kushtet e flagrancës 11 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti dhe motomjeti pa leje drejtimi.

Janë vendosur 503 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 402 masa për mospërdorim të rripit të sigurisë, 745 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, 231 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, 912 masa për parakalime të gabuara, 212 masa për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve dhe 32 masa për shkelje të semaforit.

Policia Rrugore shprehet se do vijojë kontrollet intensive të pandërprera duke përdorur të gjitha mjetet logjistike që ka në dispozicion, për të monitoruar sjelljen e të gjithë përdoruesve të rrugës në raport me normat e sjelljes, jo për të “frikësuar”, por për të edukuar dhe parandaluar aksidentet rrugore.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu