
TIRANË – Gjatë një fjalimi të mbajtur pasditen e sotme në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës, kryeministri Edi Rama ka treguar planet që qeveria e tij ka në lidhje me sektorin e bujqësisë.
Kreu i qeverisë ka thënë se duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm në dispozicion të fermerëve do të vihen 146 milionë euro.
Gjithashtu ai tha se shumë shpejt vendi ynë do të pajiset me 3 dronë super inteligjentë, të cilët do të mund të ofrojnë një informacion të saktë të tokës së punuar në Shqipëri, nëpërmjet fotove që do të bëhen nga ajri.
“Duke filluar nga janari Shqipëria rurale keni në dispozicion 146 milion euro, falë AZHBR-së që ka arritur të krijojë një besueshmëri dhe një besim të drejtpërdrejtë me KE-në. 146 milion euro janë një shifër shumë e madhe por kërkojnë organizim shumë të mirë. Po ashtu sistemet e informacionit janë shumë të rëndësishme. Ne kemi hyrë në një proces për tu pajisur me tre dronë super inteligjentë që faktikisht do të ndryshojnë në mënyrë rrënjësore mënyrën sesi ky shtet mund të mbledhë informacion në territor në kohë reale, dhe se si ky shtet mund të bëjë transparencë pa pasur nevojë të nxjerrë asnjë inspektor në rrugë. Për të kontrolluar prekjen e pyjeve, prekjen e lumenjve, apo prodhimin. Me dronët super inteligjentë do të mundemi të kemi informacion të plotë për sipërfaqen e tokës së punuar në Shqipëri dhe të kemi fotografi ajrore të detajuara deri në ‘cm’ e fundit që të na tregojë jo vetëm sa sipërfaqe të punuara kemi sot, por edhe çfarë kulturash kemi në çdo metër katror. Për të mundur të lehtësojë maksimalisht edhe ndërveprimin e tmerrshëm me Kadastrën tuajën dhe të kadastrës me ju, duke pasur qartësi për çdo parcelë. Ronald Regan gjithmonë përsëriste një anekdote, dhe thoshte që nëntë fjalët më të tmerrshme në anglisht janë nga qeveria dhe kam ardhur për tu ndihmuar. Me këtë donte të thoshte se është individi në radhë të parë që vendos për fatin e vet dhe qeveria është aty për të ndihmuar dhe për të mbështetur çdo individ që e tërheq qeverinë nga mbrapa. Kjo ka një vlerë të drejtpërdrejtë si koncept kur vjen puna te bujqësia. Nëse fermerët nuk e tërheqin qeverinë nga mbrapa, nuk ka sukses. Nëse fermerët e tërheqin qeverinë, qeveria vihet në provë”, – tha Rama ndër të tjera gjatë fjalimit të tij.