SPAK arreston prokurorin e Kukësit, Edmond Karriqi; Hodhi poshtë akuzën për ‘trafik armësh’ ndaj Fjolla Morinës

KAVAJË – Prokurori i Kukësit, Edmond Karriqi ka përfunduar sot në prangat e policisë me urdhër të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).

Burime për mediat bëjnë me dije se arrestimi i prokurorit Karriqi ka ardhur si rezultat i akuzave për korrupsion në sistemin e drejtësisë.

Mësohet se arrestimi i prokurorit ka ndodhur ndërkohë që ai gjendej në qendër të Kavajës.

Në pranga ka përfunduar edhe shoferi i tij, Isuf Gega.

Kush është prokurori Edmond Karriqi

Çeshtja e fundit e cila ka bërë bujë është çështja e këngëtares Fjolla Morina, e cila u kap me armë zjarri në pikën kufitare të Morinës dhe është tashmë në arrati nga drejtësia shqiptare.

Prokurori Karriqi u përplas me drejtuesen e Prokurorisë së Kukësit, Rita Gjati, pasi hodhi poshtë akuzën për “trafik armësh” për këngëtaren Morina, e cila u kap me dy armë zjarri në pikën kufitare të Morinës.

Mësohet se drejtuesja e kësaj Prokurorie, Rita Gjati deklaroi se ndaj këngëtares qëndronte akuza për trafikun e armëve Kosovë-Shqipëri, ndërsa prokurori Edmond Karriqi e ka hedhur poshtë këtë akuzë.

Prokuroria e Kukësit e mbylli më 16 nëntor hetimet për dosjen në ngarkim të këngëtares Fjolla Morina, e cila u arrestua në datën 19 shtator, teksa tentoi të hynte në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Morinës me dy armë zjarri me vete.

Dosja ka mbërritur në Gjykatë dhe tashmë ajo është shpallur në kërkim për veprën penale “armëmbajtje pa leje”, ndërsa vepra tjetër “trafikim armësh” ka rënë.

/Bulqiza.info/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu