
TIRANË – Konfindustria ka kërkuar që kryeministri Edi Rama, të riformatojë kabinetin qeveritar pasi duke marrë shkas nga paralajmërimet e bëra të krizës energjitike, ata kanë propozuar krijimin ministrsë së Energjitikës.
Konfindustria ka propozuar që kjo ministri të ketë portofolin e vet buxhetor, i cili nuk do të varet nga ministria e Infrakstukturës.
Deklarata e plotë:
Konfindustria i kërkon Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, të riformatojë Qeverinë e krijuar pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, duke rikrijuar si portofol të veçantë Ministrinë e Energjisë. Kërkesa vjen, duke pasur parasysh shpalljen nga Kryeministri të rrezikut të krizës energjetike në vend. Konfindustria vlerëson, se veprimi i par i shprehjes së përgjegjësisë qeveritare për përballjen me krizën e sotme, zbulimin dhe luftën e shkaqeve të krijimit të saj me qëllim mos përsëritjen në të ardhmen, duhet të jetë krijimi i Ministrisë së Energjisë. Një pjesë e rëndësishme e arsyeve të krizës energjetike të sotme vjen nga politikat e gabuara, menaxhimi i dobët, pasojë edhe e mospërfaqësimit të duhur qeveritar. Disa projekte dhe arritje pozitive, në prodhimin dhe përmirësimin e menaxhimit të sektorit te energjetik gjatë mandatit të parë, u ndërprenë në vazhdim. I njëjti arsyetim vlen edhe për tregun strategjik të prodhimit dhe tregtimit të hidrokarbureve. Shqipëria, megjithëse zotëron fushën kontinentale më të madhe naftëmbajtëse në Evropë, jo vetëm nuk përfiton, por ka çmimet e karburanteve nga më të shtrenjtat dhe cilësi më të dobët në nivel botëror si pasojë e tregut oligopol, mungesës së kontrollit shtetëror dhe korrupsionit “kapjes së shtetit/state capture’. Kërkesa për krijimin e Ministrisë së Energjisë është pjesë e paketës, që Konfindustria ka përgatitur për përballimin e krizës energjetike të sotme dhe përmirësimin thelbësor të politikave në tregun strategjik të prodhimit dhe tregtimit të karburanteve dhe energjisë elektrike në vend. Paketa do ti paraqitet zyrtarisht ekzekutivit dhe vendimmarrjes politike në Kuvendin e Shqipërisë.
Kujtojmë që vetëm ditën e djeshme kryeministri Rama, publikoi planin e qeverisë me tre pika për menaxhimin e krizës së ekonomisë. Në plan thuhej se do të sigurohej furnizimi me energji elekrike të pandërprerë, pika e dytë ishte për familjarët dhe bizneset e vogla ku u tha se do të garantohet mosrritja e çmimit të energjisë elektrike.
Për t’i bërë realitet dy pikat e para, pika e tretë e planit ishte buxheti prej 200 milion eurosh i cili do t’i jepet Operatorit për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike, për të mbrojtur familjet dhe biznesin e vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.