Rrëfehet gruaja e Lulzim Bitrit që u vra në Elbasan: S’kishim para, morëm kredi

ELBASAN– Bashkëshortja e Lulzim Bitrit, i cili u vra me armë zjarri pranë një karburanti në Elbasan, ka treguar detaje nga jeta e tyre në çift.

Në një prononcim për “Top Channel”, ajo rrëfen se kishin marrë kredi për të jetuar pasi së fundmi, bashkëshorti kishte mbetur pa punë, e nuk mund të siguronin jetesën. Por nuk e tregon se cili ishte profesioni i tij.

“Ishte shumë e vështirë, dhimbje shumë e madhe. Ishte shumë befasi, shokuese, nuk e prisnim, ai kurrë nuk ka pasur konflikte. Luli ka qenë kalimtar aty, ai që është vrarë ka qenë shoku i Lulit. Kush është ai shtet që të kryesh vrasje e të dënojë me 4 muaj burg. Kohët e fundit ishte pa punë, kishim shumë vështirësi. Morëm edhe kredi për të jetuar,”-tha ajo.

Ndërsa për ekzekutimin e Everest Çakaj tregon se aso kohe nuk ka qenë fare në Shqipëri.

“Nuk dua të dal në konkluzione po nuk dua të besoj se ka qenë atentat se mund t’ia bënin në mes të lagjes. Ai ikte dhe vinte natën, ka më shumë se 1 vit pa makinë. Kushëriri i Lulit e ka marrë tek shtëpia, më tha se kishin shkuar për të pirë kafe, ishte takuar rastësisht me Ardianin dhe i qëlluan me plumba. Luli ka marrë vetëm një plumb në zemër. Përmendin fise e njerëz të tjerë që nuk i njohim dhe nuk e di a mbajnë përgjegjësi,”- tha ajo në emisionin “Shqipëria Live”.

Ndërsa për miqësinë me të shumëkërkuarin për disa vrasje të bujshme, Talo Çelën, u shpreh: Unë nuk e njoh por mund të kenë pasur miqësi si çuna lagjesh se janë në një lagje. Ka shumë vite që as ja kemi dëgjuar më emrin.

Bashkëshorti i saj u vra së bashku me Ardian Çollakun pranë një karburanti. Ardjan Çollaku ishte dënuar më parë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe vepra të tjera penale. Ndërsa 43-vjeçari Lulzim Bitri dyshohej si i përfshirë në një vrasje të ndodhur në Tetovë para disa vitesh. Por kjo akuzë u mohua nga e shoqja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu