Ngjarja në Fier, reagon avokati i Popullit

TIRANË- Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar pak më parë në lidhje me vrasjen makabre që ndodhi mbrëmjen e djeshme në një fshat të Fierit, ku një 8-vjeçar u rrëmbye nga fqinji i tij Klodian Çalamani, i cili e vrau dhe më pas e groposi.

Në reagimin që ky institucion ka pasur, ka kërkuar që autoritetet ligjzbatuese të zbardhin detajet e ngjarjes dhe të ndëshkojnë autorin.

Ata kanë ngritur edhe një alarm për mbajtjen nën monitorim të personave me precedent penale të mëparshëm dhe me potencial rreziku për njerëzit.

Reagimi i Avokatit të Popullit:

Avokati i Popullit reagon ndaj ngjarjes së tmerrshme të ndodhur në një fshat të Fierit, ku një i mitur dyshohet se është rrëmbyer, mbajtur peng e më pas vrarë nga një person me precedentë penalë e me probleme të shëndetit mendor.

Avokati i Popullit u kërkon autoriteteve ligjzbatuese të zbardhin sa më parë detajet e kësaj ngjarjeje e të ndëshkojnë shkaktarin ose shkaktarët e saj.

Gjithashtu Avokati i Popullit ngre zërin dhe tërheq vëmendjen për nevojën e shtrirjes së kontrollit në territor të autoriteteve policore, mbajtjen nën monitorim të personave me precedentë penalë që paraqesin rrezikshmëri, identifikimin e problemeve dhe rrezikshmërisë së tyre gjatë burgimit, mungesën e shërbimeve në nivel komunitar për personat me probleme të shëndetit mendor, institucionalizimin e tyre, si dhe shtimin e kujdesit ndaj të miturve.

Kjo ngjarje e rëndë duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi dhe pikënisje për një shndërrim rrënjësor të punës parandaluese ndaj kriminalitetit e dhunës mbi fëmijët në vendin tonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu