Alibeaj tha se do ta padiste, reagon Dritan Leli: I ktheva përgjigje Komisionit

VLORË Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit i ka dërguar javë më parë një shkresë për informacion dhjetëra institucioneve, por disa prej tyre ende nuk kanë kthyer përgjigje. Një shkresë në adresën e Komisionit nuk ka ardhur nga Inspektoriati i Mjedisit, i cili është institucion i shkrirë dhe dy bashki të mëdha në vend; Bashkia Tiranë dhe Vlorë.

Mësohet se kërkesa bashkive i është çuar për punësimet elektorale, ndërsa për Bashkinë Tiranë është kërkuar informacion edhe për shpërblimet për tërmetin. Kryetari i Komisionit, Enkelejd Alibeaj paralajmëroi kallëzim penal për dy bashkitë me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Këtu ka diçka që nuk shkon. Por duke se shkresat dhe kërkesat janë bërë tashmë prej më shumë se 3 javësh, detyrimi për përgjigje është në bazë edhe të vendosjes së afatit në kërkesë. Minimalisht kjo është indiferencë dhe neglizhencë. Është detyrim ligjor për të gjithë anëtarët për të reaguar ligjërisht ndaj kësaj qasjeje“, tha Alibeaj.

Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli i tha Top Channel se i ka kthyer përgjigje Komisionit Hetimor Parlamentar për Zgjedhjet e 25 prillit që me datë 15 nëntor, duke hedhur poshtë pretendimet e kryetarit të këtij Komisioni Hetimor.

Në shkresën e dërguar nga Bashkia Vlorë në lidhje me numrin e të punësuarve pranë kësaj bashkie, theksohet se prej muajit janar 2020 dhe muajit prill 2021, numri total i punonjësve është rritur me rreth 7% në këtë bashki, duke përfshirë këtu institucionet në varësi dhe shoqëritë në pronësi të saj.

Në lidhje me fondin e pagave, Bashkia Vlorë tregon se për vitin 2021 është realizuar një rritje në fondin e pagave prej 5% për arsye të shtimit të numrit të punonjësve sipas strukturës të miratuar me Vendim të Këshillit Bashkiak.

Për përfituesit e ndihmës ekonomike pranë Bashkisë Vlorë për periudhën 1 janar 2020 deri me 30 prill 2021 nga Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku përfshihet edhe Fondi 6%, kanë përfitur 939 familje.

Bashkia Vlorë thekson se të gjithë përfituesit e ndihmës ekonomike rezultojnë të jenë në Shqipëri dhe kjo është realizuar përmes kontrolleve dy herë në vit dhe për çdo familje të re që hyn në skemë.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor, Alibeaj ka bërë publike edhe listën e dëshmitarëve që sipas tij duhen thirrur, duke filluar nga Kryeministri Rama, disa ministra dhe krerë institucionesh.

Nga ana tjetër, anëtari socialist Toni Gogu kërkoi që listës së dëshmitarëve t’i shtohen edhe deputetët demokratë Gazmend Bardhi, Xhelal Mziu dhe Albana Vokshi. Ai tha se Mziu dhe Vokshi kanë deklaruar se kanë dije për strukturën e mbrojtjes së votës në PD.

Ndërkohë që deputeti i PD-së, Ervin Salianji, tha se kjo situatë është e patolerushme.

Nuk kemi pse tolerojmë që dy institucione që kanë kapacitet të përgjigjen më shpejt se kushdo tjetër, sidomos ajo e Tiranës, ku edhe sipas pretendimeve ka më shumë shpërdorime të burimeve njerëzore gjatë fushatës se kushdo institucion tjetër, ndaj mendoj që duhet të bëjmë kallëzim penal sepse po vazhdojnë të sillen sikur e kanë shtetin pronë personale“, vijoi Salianji.

Partia Demokratike prezantoi edhe planin hetimor, sipas saj, për masakrën zgjedhore, duke theksuar se brenda një muaji do të thirren dëshmitarë drejtuesit më të lartë të qeverisë, të SPAK-ut dhe Bashkisë së Tiranës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu