Basha takon Zingraf! Çfarë u diskutua për situatën brenda PD?

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka takuar ditën e sotme ambasadorin gjerman Peter Zingraf.

Në takimin e zhvilluar sot mes Bashës dhe Zingraf, është diskutuar edhe lidhur me zhvillimet e fundit brenda PD, sa i përket përplasjes për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, që ka ardhur pas përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar i partisë.

Takimi mes tyre është zbardhur nga ambasada gjermane përmes një postimi në rrjete sociale, ku shkruan se mes të tjerash kanë diskutuar edhe për integrimin e vendit tonë në BE dhe krimin e organizuar.

“Ambasadori Zingraf u takua sot me Kryetarin e Partisë Demokratike dhe drejtuesin e opozitës Lulzim Basha në vazhdën e shkëmbimeve periodike të informacionit. Temë e bisedës ishin ndër të tjera puna aktuale në parlament, procesi i reformave në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe çështje të institucioneve brenda PD-së dhe programatikës së saj për të ardhmen”, thuhet në postim.

Kryefjalë e shumë diskutimeve sot janë zhvillimet në PD dhe fati i saj pas mbajtjes së Kuvendit Kombëtar, atij që pretendon Berisha më 11 dhjetor dhe atij që ka caktuar Basha bashkë me strukturat e partisë më 18 dhjetor. Në fokus është edhe debati mbi firmat e delegatëve të mbledhura nga ish-kryeministri, vërtetësia e tyre dhe akuzat e ish-kryeministrit ndaj Bashës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu