Koreja Veriore nuk i trembet Shqipërisë pas mbledhjes së OKB-s, pretendon se ka testuar raketën e tretë hipersonike

Lideri verikorean, Kim Jong Un, e ka vëzhguar testimin e raketës hipersonike dhe ka bërë thirrje sërish që të forcohet ushtria e Koresë Veriore, ka raportuar media shtetërore KCNA më 12 janar.

Pas shikimit të testimit më 11 janar, Kim u ka bërë thirrje shkencëtarëve që të rrisin përpjekjet për të forcuar ushtrinë, si në aspektin e kualitetit ashtu edhe të numrit të saj”, ka raportuar agjencia verikoreane e lajmeve.

Sipas agjencisë, raketa ka bartur pajisje hipersonike dhe ka goditur shënjestrën në det, në distancë prej 1,000 kilometrash.

Ky është testimi i dytë i një rakete hipersonike në më pak se një javë.

Kim ka bërë deklarata për forcim të ushtrisë, në kohën kur janë bllokuar negociatat për çarmatosje të Gadishullit Korean nga armët bërthamore.

Testimi i raketës është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se lansimi i raketës shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, derisa Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland, e ka konsideruar testimin si të rrezikshëm dhe destabilizues.

“Kjo gjë na çon në drejtim të gabuar”, ka thënë ajo nga Uashingtoni.

“Siç e dini, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se administrata e re është e hapur për dialog me Korenë Veriore, për koronavirus, mbështetje humanitare, ndërkohë që ata po lëshojnë raketa”.

Bashkimi Evropian e ka konsideruar lansimin e fundit të raketës si “kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare” dhe i ka bërë thirrje Phenjanit që t’i rikthehet diplomacisë.

Sipas raportimeve, ky është lansimi i tretë i një rakete hipersonike nga Koreja Veriore.

E para është lëshuar në shtator të vitit të kaluar, derisa e dyta javën e kaluar.

Armët hipersonike konsiderohen gjenerata e re e armëve dhe shumë ushtri të fuqishme, përfshirë në Shtetet e Bashkuara, Rusi dhe Kinë, tashmë i kanë testuar ato.

Ato janë më të shpejta sesa raketat balistike dhe kanë kapacitet për t’iu ikur sistemeve aktuale për mbrojtje./rel