Vuçiç bëhet agresiv: Ta dinë Kurti dhe Quint-i, do të ketë pasoja nëse nuk lejohet referendumi

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka thënë se do të ketë pasoja të mëdha, më të mëdha se që i mendon Kosova dhe QUINT-i, në rast se serbëve në Kosovë nuk do t’iu lejohet të votojnë për referendumin e Serbisë.

Një deklaratë të tillë Vuçiç e ka bërë gjatë një intervistë për televizionin publik të Serbisë.

“Është shumë më e rrezikshme që po përgatiten për referendumin, e kjo është që të mos lejohen serbët të votojnë. Kjo do të shkaktojë pasoja të gjera”, ka thënë Vuçiç.

I pyetur nëse serbët do të lejohen të votojnë në Kosovë, Vuçiç ka thënë “Do ta shohim”.

“Pasojat do të jenë shumë më të rënda dhe më të gjera sesa shqiptarët dhe QUINT-i e imagjinojnë për momentin”, ka shtuar tutje.

Kreu i shtetit serb ka thënë se shpreson që Republika e Kosovës të mos e bëj një gjë të tillë.

Ndërkohë, kryeministrin Kurti e ka quajtur si “të përkëdhelurin” e ndërkombëtarëve, dhe sipas tij, komuniteti ndërkombëtar duhet “të kujdesën për fëmijën e tyre dhe ta informojnë se duhet t’i respektojë të gjitha marrëveshjet”.

“Të respektojmë marrëveshjen e Brukselit dhe gjithçka që është rënë dakord paraprakisht”, ka shtuar Vuçiç.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se serbët e Kosovës me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë përmes postës apo në zyrën ndërlidhëse, derisa Borell ka kërkuar që të lejohet votimi duke rikujtuar se si në të kaluarën OSBE-ja ka mbledhur votat./Express