Ndaraj nga jeta e futbollistit Ramazan Rragami, Meta ‘bashkohet’ me Berishën në Shkodër

SHKODËR – Pas vizitës të ish-kryeministrit Sali Berisha sot në Shkodër ku zhvilloi një takim me mbështetësit e tij atje, dhe më pas zhvilloi homazhe në përkujtim të futbollistit Ramazan Rragami i cili ka ndërruar jetë, në Shkodër ka mbërritur edhe presidentit Ilir Meta.

Edhe Meta ka marrë pjesë në homazhet e organizuar në nder të figurës së njohur të futbollit të skuadrës së Vllaznisë Ramazan Rragamit. Nëpërmjet një postimi në faqen e tij të ‘Facebook’, Meta shkruan se ka ndarë më familjarët dhe dashamirësit ngushëllimet e tij për rastin fatkeq.

Ai shton se trashëgimia e Rragamit në sport do të shërbejë si frymëzim për fëmijët dhe të rinjtë.

Postimi i plotë:

Nuk mund të mos vija sot në Shkodër për t’i dhënë lamtumirën e fundit, futbollistit legjendë të Vllaznisë dhe Ekipit Kombëtar, trajnerit dhe profesorit të paharruar Ramazan Rragami.

Ndava me familjen e tij të dashur, miqtë, bashkëlojtarët, dashamirësit dhe komunitetin shkodran ngushëllimet më të sinqerta dhe më të ndjera për humbjen e këtij personaliteti, që do të na mungojë të gjithëve dhe me të cilin pata privilegjin të njihesha nga afër.

E kam të vështirë ta kuptoj një vizitë në Shkodër pa e takuar Ramazan Rragamin, po jam i bindur që kjo legjendë si gjithë legjendat do të mbetet gjithmonë në memorien tonë.

Sa herë të kujtojmë atë barazim historik në dhjetor ’67, që skualifikoi nënkampionët e botës do të kujtojmë Ramazan Rragamin dhe shokët e tij të skuadrës, që i dhanë emër dhe famë Shqipërisë në Europë.

Sa herë të kujtojmë arritjet e “Shpresës” tonë do kujtojmë Ramazan Rragamin, arkitektin e kualifikimit të saj në 8-të më të mirat e Europës.

Trashëgimia e tij sportive do të shërbejë përherë si frymëzim për fëmijët dhe të rinjtë, që me punë, pasion dhe dashuri për sportin të mund të bëjnë vepra të mëdha dhe të pavdekshme.

Gjithmonë do ta kujtojmë me dashuri futbollistin dhe trajnerin kampion, por mbi të gjitha do të na mungojë njeriu superkampion i vlerave më të mira qytetare dhe kombëtare.