
TIRANË – Policia e Tiranës ka finalizuar sot operacionin e koduar ‘Lux 2022’, për goditjen e trafikimit të paligjshëm të automjeteve.
Të proceduar penalisht mbetën tre persona ndërsa një bashkëpunëtor i tyre u shpall në kërkim. Bëhet fjalë për shtetasit me inicialet B. S., E. N., dhe E. K., të tre me banim në Tiranë. Nga ana tjetër në kërkim u shpall bashkëpunëtori i tyre, shtetasi me inicialet Z. D., me banim në Maqedoninë e Veriut.
Këta shtetas dyshohet se vidhnin automjetet në vendet e Bashkimit Evropian, dhe më pas me disa ndryshime që u bënin në pjesën e shasisë, arrinin t’i tregtonin në vendin tonë.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale tre automjete të dyshuara të vjedhura në vendet e BE-së, ndërkohë që materialet hetimore në lidhje me rastin në fjalë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Lux 2022”. Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”. Trafikonin mjete të vjedhura në vendet e BE-së, procedohen penalisht 3 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 4 automjete të trafikuara, të dyshuara të vjedhura në vendet e BE-së. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se disa shtetas trafikonin në vendin tonë, mjete të vjedhura në shtete të ndryshme të BE-së, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Lux 2022”. Në kuadër të këtij operacioni u proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, shtetasit B. S., E. N. dhe E. K., të tre banues në Tiranë. Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi Z. D., banues në Maqedoninë e Veriut.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 automjete të trafikuara, të dyshuara të vjedhura në vendet e BE-së. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këto automjete u janë nënshtruar ndërhyrjeve dhe modifikimeve në numrat e shasisë apo paketat elektronike dhe më pas janë tregtuar te persona të ndryshëm. Vijon puna për dokumentin e rasteve të tjera të trafikimit të mjeteve, që mund të jetë kryer nga këta shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.