KF Bulqiza; Alla reagon pas vendimit të FSHF: Masa ndaj drejtuesve të ekipit, nëse akuzat rezultojnë të vërteta

BULQIZË– Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla ka reaguar pas vendimit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit për përjashtimin për 5 (pesë) sezone të njëpasnjëshme të Ekipit të Futbollit KF Bulqiza.

Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Alla shkruan se nga komunikimet që ka pasur deri më tani me drejtuesit e KF Bulqiza, konkretisht administratorin dhe trajnerin e ekipit, ata refuzojnë të jenë përfshirë në një aferë të tillë, të ulët për çdo profesionist dhe sportdashës, teksa e justifikojnë rezultatin e ndeshjes në fjalë me mungesën e lojtarëve kryesorë të ekipit, të cilët ishin të dëmtuar dhe kishin problem shëndetësore.

“Në këto kushte, Bashkia Bulqizë do ta apelojë vendimin e FSHF, për t’i kërkuar organeve të drejtësisë një hetim më të zgjeruar mbi çështjen, me prova që argumentojnë këtë vendim. Nëse pas këtij hetimi do të rezultojë se vendimi i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në FSHH është i drejtë, atëherë Bashkia Bulqizë do të marrë masa të menjëhershme ndaj personave të përfshirë në këtë akt të ulët, që përbën një sjellje të pahijshme dhe fyese ndaj çdo sportdashësi bulqizak, qofshin këta drejtues apo lojtarë të ekipit.”, shkruan Alla në reagimin e tij.

Në vendimin e sotëm të FSHF, KF Bulqiza, përjashtohet nga gara për pesë sezone të njëpasnjëshme dhe dënohet me gjobë në masën 2.000.000 (dy milionë) lekë. “Pas marrjes së informacionit të nevojshëm dhe pyetjen e aktorëve të përfshirë në këto ndeshje, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës gjeti se kishte elementë të paracaktimit të rezultateve sportive, gjë e cila është në kundërshtim me parimet e fair-play-t dhe integritetit të garës.” thuhet në deklaratën e FSHF.

Paracaktimi i rezultateve në garat sportive përbën gjithashtu edhe vepër penale. “Kryerja e veprimeve ose mosveprimeve për paracaktimin e rezultateve në garat sportive, kombëtare dhe ndërkombëtare, në kundërshtim me parimet e lojës së ndershme, përbën kundërvajtje penale. Po kjo vepër, e kryer për qëllime të fitimit pasuror, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.” thuhet në nenin 197/a të Kodit Penal.

Më poshtë reagimi i plotë i Kryebashkiakut Alla

REAGIM pas vendimit të FSHF në lidhje me KF Bulqiza

Ndoqëm me shqetësim vendimin e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit për përjashtimin për 5 (pesë) sezone të njëpasnjëshme të Ekipit të Futbollit KF Bulqiza.

Që në krye të herës, dëshiroj të theksoj se unë dhe institucioni që drejtoj, Bashkia Bulqizë, distancohemi nga veprimet apo mosveprimet e individëve që akuzohen për një shkelje të tillë.

Personalisht, nga viti 2019 kur u zgjodha në krye të Bashkisë Bulqizë, kam mbështetur me të gjitha mënyrat ringritjen e KF Bulqiza, i cili falë gjithë këtij angazhimi arriti të ngrihet nga kategoria e tretë në të dytën. Riaktivizimi i KF Bulqiza ishte një lajm i mirë për të gjithë sportdashësit bulqizakë, shumë prej të cilëve e kanë shoqëruar ekipin e tyre të zemrës edhe në ndeshje të zhvilluara në qytete të tjera.

Nga komunikimet që kemi pasur deri më tani me drejtuesit e KF Bulqiza, konkretisht administratorin dhe trajnerin e ekipit, ata refuzojnë të jenë përfshirë në një aferë të tillë, të ulët për çdo profesionist dhe sportdashës, teksa e justifikojnë rezultatin e ndeshjes në fjalë me mungesën e lojtarëve kryesorë të ekipit, të cilët ishin të dëmtuar dhe kishin problem shëndetësore.

Në këto kushte, Bashkia Bulqizë do ta apelojë vendimin e FSHF, për t’i kërkuar organeve të drejtësisë një hetim më të zgjeruar mbi çështjen, me prova që argumentojnë këtë vendim.
Nëse pas këtij hetimi do të rezultojë se vendimi i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në FSHH është i drejtë, atëherë Bashkia Bulqizë do të marrë masa të menjëhershme ndaj personave të përfshirë në këtë akt të ulët, që përbën një sjellje të pahijshme dhe fyese ndaj çdo sportdashësi bulqizak, qofshin këta drejtues apo lojtarë të ekipit.