
TIRANË – Ka reaguar ministrja e Arsimit Evis Kushi, për prindërit e fëmijëve të shkollës 9-vjeçare ‘Rexhë Deliu’ në Rinas, të cilët kanë penguar sot fëmijët për të shkuar në shkollë.
Prej tre ditësh banorët atje ndodhen në një protestë, ku janë duke kundërshtuar vendimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar për kthimin e rrugës së aeroportit me një kalim. Ata thonë se kjo gjë i penalizon, dhe duket të përshkrojnë më shumë rrugë për të shkuar në destinscionet e tyre.
Kushi u ka kërkuar prindërve që të mos i pengojnë të vegjlit për të frekuentuar ambientet e mësimit, pasi çdo orë kishte vlerë për ata.
Ministrja ka shpresuar që nesër gjendja të normalizohet dhe fëmijët t’i rikthehen bankanve të mësimit.
Postimi i plotë:
Jam njoftuar sot nga strukturat tona arsimore në shkollën 9-vjeçare “Rexhë Deliu” në Rinas që pjesa më e madhe e prindërve nuk i kanë sjellë sot fëmijët e tyre në mësim.
Të dashur prindër, duke vlerësuar të drejtën për të protestuar të çdo qytetari në një shoqëri demokratike, ju lutem që të mos i privoni fëmijët nga e drejta e tyre themelore për arsimim. Çdo orë mësimi ka vlerë për fëmijët tanë, prandaj duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj kam besim që nesër mësimi do të vijojë normalisht edhe në këtë shkollë.