Sot festa e ‘Shën Gjergjit’; Bulqiza hap sezonin turistik 2022, ja çfarë ofrohet këtë vit

BULQIZË – Bulqiza ka çelur sot zyrtarisht sezonin turistik për vitin 2022, me një aktivitet të zhvilluar me rastin e festës së ‘Shën Gjergjit’.

Qindra qytetarë nga vende të ndryshme të Bulqizës, përfaqësues të pushtetit lokal dhe fëmijë u mblodhën në Fushë Bulqizë, në një atmosferë ndryshe e cila lajmëron ardhjen e parnëverës.

I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku Lefter Alla, i cili ka përmendur mundësitë që Bulqiza ofron për vizitorët, të cilët gjatë këtij viti pritet të jenë më të shumtë në numër.

Nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, Alla shkruan se Bulqiza ofron mundësinë e vizitave në shpellat e bukura të cilat janë shekullore, liqenet malore dhe dhjetëra monumente të tjera kulturore. Kryebashkiaku nuk ka harruar pa përmendur edhe investimet e reja të cilat janë bërë në zonë, me ngritjen e bujtinave, të cilat pasqyrojnë më së miri mikpritjen bulqizake.

Festimeve iu bashkuan edhe nxënësit e shkollës së mesme të bashkuar ‘Asllan Keta’, të cilët performuan duke i dhënë një ngjyrë tjetër programit.