Këmbimi valutor! Leku u forcua përsëri këtë javë, Euro kthehet pranë minimumit historik

Leku i është rikthyer këtë javë mbiçmimit në kursin e këmbimit me Euron.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 120.29 Lekë, në rënie me rreth 0.8 pikë krahasuar me fundin e javës së kaluar.

Euro po i afrohet sërish niveleve minimale historike, që u shënuan në pjesën e dytë të muajit prill. Konkretisht, në 22 prill kursi i këmbimit të Euros zbriti deri në 120.18 Lekë, duke barazuar vlerën më të ulët historike, të shënuar më parë edhe në fund të vitit 2007.

Agjentët e këmbimit valutor shprehen se përgjithësisht kërkesa për Euro në tregun valutor ngelet e vakët, ndërsa afrimi i sezonit turistik ka filluar të ndikojë në një rritje të ofertës. Ky efekt mund të vijë sidomos nga shtimi i turizmit hyrës, sidomos gjatë fundjavave, sidomos nga vendet fqinje të rajonit. Historikisht, sezoni turistik karakterizohet nga një forcim i Lekut në kursin e këmbimit, kryesisht për shkak të shtimit të prurjeve valutore dhe të rritjes së ofertës së Euros në treg. Banka e Shqipërisë ka evidentuar në analizat e saj se mbiçmimi i Lekut gjatë sezonit turistik në vitet e fundit ka një prirje për të qenë më i hershëm dhe më i shtrirë në kohë, tendencë e lidhur direkt me zgjatjen e sezonit të turizmit hyrës. Përtej këtij faktori, sidoqoftë pozita kaq e fortë e lekut në kursin e këmbimit me Euron ngelet pjesërisht e vështirë për t’u shpjeguar edhe nga ekspertët. Që nga tremujori i fundit i vitit të kaluar, ekonomia shqiptare po vuan efektet e valës inflacioniste që ka përfshirë ekonominë botërore dhe që u theksua edhe më shumë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Rritja e inflacionit është reflektuar në një zgjerim të deficitit të llogarisë korrente të vendit. Sidomos nevojat e mëdha për importe të energjisë elektrike besohej se mund të ushtronin presione nënçmuese në kursin e këmbimit valutor. Me përjashtim të një periudhe të shkurtër gjatë muajit mars, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe kursi i këmbimit të lekut i ka rezistuar mirë këtyre rreziqeve.

Në teori, një faktor që mund të ketë ndikuar në favor të forcimit të Lekut është rritja e normës bazë të interesit me 0.5 pikë përqindje nga Banka e Shqipërisë më datë 23 mars. Në deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës të kësaj jave, theksohet se rritja e normës bazë të interesit, veç të tjerash, ka ndihmuar edhe stabilizimin e presioneve mbi kursin e këmbimit valutor. Sidoqoftë, agjentët e tregut nuk e vlerësojnë rritjen e normës bazë si një faktor me ndikim shumë vendimtar në forcimin e lekut gjatë kësaj periudhe. Në rrethanat kur ecuria e kursit të këmbimit është e vështirë të shpjegohet me shifrat që japin tablonë e faktorëve fondamentalë, agjentët hipotizojnë edhe një ndikim të qëndrueshëm në treg të prurjeve valutore nga burime informale apo të paligjshme.

Pavarësisht vështirësisë për ta shpjeguar plotësisht ecurinë e kursit të këmbimit, mund të thuhet se Leku i fortë po ndihmon në amortizimin, sado të pjesshëm, të inflacionit të importuar në ekonominë shqiptare. Në rast se zgjerimi i deficitit të jashtëm do të ishte reflektuar në zhvlerësimin e Lekut, normat e inflacionit në ekonominë shqiptare, me shumë të ngjarë, do të ishin edhe më të larta se ato që janë raportuar deri tani. Në këtë mënyrë, Leku i fortë po jep një efekt pozitiv në zbutjen e pasojave të inflacionit, ndërsa paralelisht favorizon të gjitha subjektet që kanë të ardhura në monedhën vendase dhe shpenzime në Euro, përfshi huamarrësit e ekspozuar ndaj lëvizjeve të kursit.

Nga ana tjetër, Leku i fortë nuk është i leverdisshëm për eksportuesit e mallrave dhe shërbimeve, përfshi sektorin turistik, që sigurojnë të ardhura në Euro dhe që kanë pjesën më të madhe të shpenzimeve në Lekë. Humbje nga forcimi i lekut kanë edhe depozituesit apo investitorët rezidentë që kanë investuar kursimet e tyre në produkte financiare në Euro./monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë