Në pritje për tu bërë baba, futbollisti 28-vjeçar pëson atak në fushë dhe vdes

ITALI – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, në ndeshjen e futbollit mes Casalpoglio-Quingentole.

Bëhet fjalë për kapitenin e skuadrës së Quingentole, Dimitri Roveri 28-vjeç i cili gjatë lojës pësoi një arrest kardiak. Ngjarja ndodhi në minutën e ’20 të ndeshjes, teksa Roveri u rrëzua në fushën e lojës për të mos u çuar më.

Në tribunën e stadiumit ndodheshin dhe të afërmit e tij si nëna, babai Angelo, një ish-lojtar i Serisë A dhe motra e tij Nicol, presidente e ekipit, të cilët nxituan menjëherë në fushë për t’i bërë të vëllait një masazh në zemër, përpara se të vinin mjekët.

Pak momente më pas mbërriti edhe ekipi i mjekëve, të cilët bënë transportin me helikopter në spitalin San Raffaele. Atje lojtari 28-vjeçar iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale, ku fatkeqësisht nuk mundi të dilte i gjallë.

Dimitri kishte njoftuar ndjekësat e tij vetëm një javë më parë, që ishte në pritje për tu bërë baba.