Përformanca e Ronela Hajatit në Eurovision, akademiku Fuga: Na e plasi në surrat të vërtetën

Nga Artan Fuga

Ouuu, bravo kjo Hajati në Eurovizion, ka bërë art, jo thjesht një këngë, shkallë e lartë kodifikimi estetik i shprehjes muzikore! Kombinim i lartë i postmodernes, klasikes, popullores! Pa asnjë kompleks kulturor.

Më në fund! Mjaft me paraqitje gocash të mira, femrash të sunduara nga etika maçiste. Sapo gjuha e trupit kërkon të çlirohet, i hedhin napën, i lidhin duart me litar, i veshin futën për të qëruar patate! Mos donin t’u nxirrte edhe ndonjë kafe në tabaka argjendi?

Këta edhe Prometeun do ta kryqëzonin, do ta quanin hajdut të zjarrit të Perëndive. Turp! Hajdut! Simbolikën artistike e marrin për histori të vërtetë! Klithmë emancipimi, revoltë, dramë!

Ishte një thirrje për çlirim nga maçizmi, protestë për liri ndaj autoriteteve autoritare që bëjnë shiun dhe breshërin mbi kokat e rinisë, e keqpërdorin atë, apel kundër edukatës që bazë ka nënshtrimin, dhunën psikologjike dhe fizike ndaj femrës!

Kundër pseudomoralistëve që në emër të turpit kërkojnë të fusin shqisat dhe dëshirat në kafaze, e për rjedhojë krijojnë kushte për shpërthime animaliteti si reaksion ndaj diktaturës shpirtrore.

Revoltë ndaj trajtimit të trupit si mall! E masakrojnë pikërisht për atë që kjo trupë në këtë performancë thotë të kundërtën e asaj që akuzohet!

Na e plasi në surrat të vërtetën! Dhe si çdo e vërtetë na plagos në krenari, në rehati, në narcizëm! Fati i çdo gjëje që trondit skorjet e kthyera në moral! Kush e bën digjet në turrën e druve! Shpesh as skllavi nuk dëshiron të çlirohet!