Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KE, Serbia nis fushatën ‘kundranjohëse’: 4 shtete nuk njohin më Kosovën

BEOGRAD – Serbia nuk e ka pritur mirë lëvizjen e Kosovës dhe aplikimin e kësaj të fundit për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Pas këtij veprimi, presidenti serb Aleksandër Vuçiç kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit, ku një ndër vendimet kryesore të ndërmarra, është edhe nisja e një fushate lobimi për mosnjohjen e Kosovës si shtet më vete.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviç, i cili tha se Beogradi do të nisë një fushatë për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga disa shtete. Sipas deklaratës së tij, deri më tani 4 shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

“Kemi marrë informacione se së paku dy shtete të mëdha janë duke punuar në mbështetje logjistike për Prishtinën për njohjet e reja, por edhe në fushatën për tërheqjen e njohjeve. Katër shtete kanë tërhequr tashmë njohjen e Kosovës”- tha Selakoviq.

Ministri Selakoviç tha se Serbia është duke u përballur me presione dhe vështirësi në politikën e jashtme.