Zhvillohet asambleja e 17 e ‘NALAS’ në Beograd, Alla mes 70 kryebashkiakëve: Një eksperiencë e shkëlqyer

BEOGRAD – Drejtuesit e pushtetit vendor në Evropën Juglindore janë takuar dje në Beograd, ku kanë biseduar për sfidat kryesore në reformën e administratës publike dhe ofrimin e shërbimeve me cilësi të lartë.

Mes përfaqësuesve dhe 70 kryetarëve të bashkive nga vende të ndryshme, pjesëmarrës në këtë mbledhje nga vendi ynë ishte kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla, kryetari i bashkisë Klos, Ilmi Hoxha dhe Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore, Adelina Farrici.

Takimi i cili u zhvillua  në Asamblenë e Përgjithshme të 17 të Rrjetit të Shoqatave të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore ‘NALAS’, të organizuar nga partneriteti me Konferencën e përhershme të Qyteteve dhe Komunave të Serbisë (SCTM), u fol për veprimet që duhet të ndërmerren për ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj popullatës.

Kryebashkiaku Lefter Alla, ka reaguar nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, duke e cilësuar pjesëmarrjen në ‘NALAS’ si një eksperiencë të shkëlqyer. Ai tregon se disa nga çështjet e diskutuara me kryetarët e bashkive nga vende të ndryshme të Evropës Juglindore, ishin Sfidat dhe prioritetet kryesore të shoqatave dhe pushtetit lokal,  gjendja e reformës së administratës publike vendore, ofrimi i shërbimeve të ujit dhe gjendja e kanalizimeve.

Asambleja e 17 e Përgjithshme u kryesua nga Nënkryetari i NALAS, Mehmet Ergun Turan, Kryetar i Bashkisë Fatih në Stamboll, i cili shprehu kënaqësinë e tij për këtë takim që nuk ishte zhvilluar prej dy vitesh për shkak të pandemisë së COVID-19.